Berisha: Rama mbron Lubinë, pengoi drejtësinë për të mbrojtur veten
Lideri i opozitës, Sali Berisha, u ngjit në podiumin e vendosur para Kryeministrisë gjatë protestës së dytë kombëtare të organizuar nga opozita. Ai u bëri thirrje protestuesve se ky është kilometri i fundit për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama për bllokim të drejtësisë dhe korrupsion. Berisha deklaroi se Rama ka penguar funksionimin e drejtësisë për të mbrojtur veten dhe familjarët e tij, pasi ka vjedhur miliarda.
“Rama ka bllokuar drejtësinë për të siguruar veten dhe familjarët,” u shpreh ai, ndërsa shtoi se Rama po mbron edhe ministren Belinda Balluku.
“Kryehajduti i shqiptarëve nuk ikën, por ai përmbyset nga zemërimi dhe revolta juaj,” tha Berisha, duke iu drejtuar protestuesve.
Ai shtoi se kryeministri Rama krekosej me një ftesë formale që Trump u kishte bërë vendeve partnere për Bordin e Paqes, duke e përdorur atë për të shitur veten sikur ishte themeluesi. Megjithatë, sipas Berishës, në mbledhjen themeluese Rama nuk u pranua në sallë.
“Rama gjendej në parlament duke bërë avokatin e Lubisë, duke ulëritur dhe duke sharë si ordiner opozitën. Koha ka ndryshuar, stina është e jona. Ne sot nuk jemi më një parti, nuk jemi as për një individ, nuk jemi këtu për asgjë tjetër, por jemi për ndërgjegjen tonë, për idealet tona,” përfundoi Berisha.
