Berisha: Gazi lotsjellës i skaduar, helm për protestuesit

Berisha: Gazi lotsjellës i skaduar, u kthye në helm

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, duke deklaruar në një konferencë për mediat se gjatë tubimit janë ushtruar akte dhune ndaj protestuesve nga ana e Policisë së Shtetit. Berisha pretendoi se forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës, topa uji dhe shkopinj, duke i cilësuar këto veprime si të pajustifikuara ndaj protestuesve, të cilët ai i përshkroi si paqësorë.

Sipas tij, gazi i përdorur ishte i skaduar dhe, siç deklaroi ai, përbën rrezik për shëndetin, duke shtuar se përdorimi i tij bie ndesh me konventat ndërkombëtare.

Në deklaratën e tij, Berisha përmendi edhe ndalimin e një fëmije 10-vjeçar, duke thënë se ai nuk kishte lidhje me protestën dhe ishte ndaluar ndërsa po largohej nga një xhami. Ai e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm dhe akuzoi autoritetet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Kreu i PD-së deklaroi gjithashtu se disa deputetë dhe drejtues të Partisë Demokratike janë përballur me sjellje agresive nga ana e forcave të rendit, duke përmendur nënkryetarin e PD-së Luçiano Boçi dhe deputetët Zija Ismaili dhe Besart Xhaferri.

“Dje, policia e Ramës, e komanduar nga Proda i krimit, përdori dhunë të egër ndaj protestuesve. Goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës të skaduar, i cili në konventat ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe nuk mund të përdoret ndaj protestave. Gazi ishte i skaduar prej 3 vitesh dhe pas skadimit ai transformohet në helme që japin dëmtime të rënda të sistemeve. Mund të shkaktojë edhe humbjen e pamjeve. U përdorën topa uji dhe mjete të tjera, u goditën me shkopinj protestues paqësorë dhe u ndaluan brutalisht. Në akte që lartësohen në krime kundër njerëzimit, u ndal një fëmijë 10-vjeçar teksa dilte nga xhamia. Romeo nuk kishte asnjë lidhje me protestën. Ai kishte ardhur me detyra të ngarkuara nga familjarët e tij, e morën në mënyrën më të turpshme dhe kriminale. Do t’u shtojnë kohë të gjatë lutjet e tij ndaj atyre 5 banditëve që tërhiqnin zvarrë një 10-vjeçar. Shkelën konventat ndërkombëtare, fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i cili edhe kur të jetë puna për karrigen e tij nuk ndalet as me krime ndaj fëmijëve. U sollën egërsisht dhe në mënyrë të padenjë ndaj deputetëve, agresuan disa prej tyre. Luciano Boçi, nënkryetarin e partisë, Zija Ismaili, deputetin e Beratit, Besart Xhaferri, i agresuan si të droguar. Akte këto vetëm të njerëzve në panik të tmerrshëm, njerëzve pa shpresë dhe përpjekje për të mbuluar krimet e Ramës dhe Lubi Ballukut me të tjerë,” tha Berisha.

Scroll to Top