Furnizonin me kokainë disa grupe kriminale, arrestohen tre persona në Tiranë
Policia ka arrestuar tre persona në Tiranë, pasi u kapën me 1 kilogram e 36.6 gramë kokainë. Të arrestuarit janë Elvi Meta, 26 vjeç, Igli Canaj, 33 vjeç dhe Alban Kopaçi, 32 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi gjithashtu 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu me municion, 121,000 euro, 60 milionë lekë dhe 5,000 paund. U sekuestruan gjithashtu një automjet tip “Escalade” dhe 5 telefona celularë.
Tre personat u arrestuan gjatë një operacioni policor të koduar “Cargo 2”, pas dyshimeve për trafikun e lëndëve narkotike në Tiranë. Autoritetet bënë me dije se të arrestuarit dyshohet se furnizonin grupe shpërndarësish me lëndë narkotike të llojit kokainë.
Automjeti i njërit prej të arrestuarve u lokalizua në Unazë të Madhe. Materialet procedurale janë dorëzuar pranë Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
