Malaj dhe Binaj: Aksioni në ndërtim përfundon në maj, do të vijojë me tregtinë online dhe turizmin
Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, mbajtën një konferencë për shtyp lidhur me zbatimin e Planit Sektorial të Ndërtimit dhe masat kundër informalitetit, si pjesë e Strategjisë së Administrimit të të Ardhurave 2024–2027.
Ministri Malaj theksoi se vendi po ndodhet në vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë së Administrimit të të Ardhurave, e cila shtrihet deri në vitin 2027 dhe synon jo vetëm rritjen e të ardhurave, por edhe përmirësimin e administrimit fiskal.
“Një pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie është rritja e formalizimit në sektorë kyç me risk të lartë, si turizmi dhe ndërtimi,” u shpreh ministri, duke ndarë me publikun masat e strategjisë afatmesme dhe rezultatet pozitive të arritura deri tani.
Në sektorin e turizmit, për periudhën janar–shtator 2025, të ardhurat u rritën me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Fondi i pagave u rrit me 18%, duke arritur në 162 milionë euro, ndërsa kontributet shoqërore dhe shëndetësore u rritën gjithashtu me 18%. U regjistrua gjithashtu rritje edhe në arkëtimet e TVSH-së.
Në sektorin e ndërtimit, kontrollet e ushtruara në agjencitë imobiliare evidentuan shkelje, përfshirë mungesë transparence në çmime, mosdeklarim real të pagave dhe shmangie të faturimit. Objektivat e administratës tatimore do të fokusohen në formalizimin e pagave dhe rritjen e deklarimit të xhiros në këtë sektor.
Sipas të dhënave, në Tiranë dhe Durrës janë aktive 8,784 subjekte ndërtimi, ku rreth 25% e tyre deklarojnë paga nga 400 deri në 500 euro, nivel që nuk reflekton realitetin e tregut të punës. Në muajin nëntor nisi një fushatë ndërgjegjësuese për bizneset e ndërtimit, ku u dërguan 13,814 mesazhe të personalizuara. Për rreth 118 mijë të punësuar, efekti financiar arriti në 78 milionë euro. Të ardhurat nga kontributet në muajin dhjetor u rritën me 4% krahasuar me shtatorin, ndërsa numri i punonjësve në fashën 400–500 euro u ul me 7%. Nga ana tjetër, është rritur numri i punonjësve me paga nga 700 deri në 1,000 euro me 8%, ndërsa mbi 1,200 euro është rritur me mbi 10%.
Ministri paralajmëroi se subjektet që nuk kanë reflektuar pas paralajmërimeve do të jenë objekt i kontrolleve të thelluara nga administrata tatimore.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, theksoi se lufta kundër informalitetit mbetet prioritet kryesor i administratës tatimore për vitin 2026, së bashku me zbatimin e paqes fiskale, fshirjen e detyrimeve dhe iniciativat e tjera ligjore.
Sipas tij, rreth 120 mijë punonjës janë prekur nga procesi i vetëdeklarimit të pagave, i cili ka sjellë një rritje prej 7%. Aktualisht ka nisur faza e parë e planit, që lidhet me mbledhjen e të dhënave mbi çmimet nga agjencitë imobiliare. Faza e dytë dhe e tretë do të fokusohen te ndërtuesit, ku Drejtoria e Riskut do të kontrollojë subjektet që nuk kanë reflektuar në dy fazat e para, me synim vetëkorrigjimin. Në rast të mungesës së reflektimit, aksioni do të përfundojë më 23 maj 2026.
Binaj shtoi se kontrollet në sektorin e turizmit dhe sigurinë ushqimore do të vijojnë, ndërsa janë në përgatitje plane specifike për këta sektorë. Mosdeklarimi i pagave konsiderohet një shkelje nga administrata tatimore.
Z. Binaj bëri me dije se administrata tatimore po përgatit plane të posaçme për adresimin e tregtisë online gjatë këtij viti. Aktualisht po zhvillohet procesi i mbledhjes dhe analizimit të të dhënave nga aktivitetet e tregtisë online, me qëllim identifikimin e riskut dhe rritjen e formalizimit në këtë sektor. Gjithashtu, ai theksoi se një tjetër fokus i administratës tatimore është shitja e automjeteve, për të cilën po finalizohen të dhënat për rreth 100 individë, si pjesë e analizës së riskut dhe verifikimeve të mëtejshme fiskale. Z. Binaj shtoi se administrata tatimore do të adresojë me kontrolle edhe shitjen e aksioneve, një aktivitet i cili është evidentuar si sektor me risk.
