Denoncimi i Tabakut: 500 milionë euro për AKSHI-n, shërbimet dixhitale s’funksionojnë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin mbi atë që cilëson si një dështim të rëndë të politikave të digjitalizimit nga ana e qeverisë. Ajo thekson se shpenzimet rekord nuk janë reflektuar në shërbime funksionale për qytetarët.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se vetëm brenda një viti buxheti i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është rritur me rreth 500 milionë euro. Në të njëjtën kohë, administrata publike ka arritur në 184 mijë punonjës, duke u rritur me rreth 20 mijë më shumë krahasuar me katër vite më parë.
Sipas saj, kjo rritje justifikohet nga qeveria me nevojën për digjitalizim dhe përmirësimin e shërbimeve, por realiteti është krejt tjetër. “Administrata publike dhe AKSHI sot përbëjnë pothuajse 18% të buxhetit të shtetit, por asnjë nga shërbimet digjitale nuk funksionon,” deklaroi Tabaku.
Ajo shtoi se problemet nuk janë rastësore, por pasojë e korrupsionit, tenderave të paracaktuar dhe shpenzimeve që kanë dalë jashtë kontrollit. Deputetja demokrate nënvizon se qeveria ka humbur çdo sens prioriteti publik, duke e zëvendësuar reformën reale me shpërndarjen masive të prokurimeve.
“Nuk është rastësi që sot flitet për një ‘qeveri të prokurimeve’ dhe një ‘qeveri të të pandehurve’,” theksoi ajo. Tabaku kërkon transparencë, përgjegjshmëri dhe një rishikim të plotë të mënyrës se si menaxhohen fondet publike në sektorin e digjitalizimit.
Tabaku riafirmon se digjitalizimi duhet të jetë mjet për shërbime më të mira dhe më pak burokraci për qytetarët, jo një justifikim për rritje shpenzimesh dhe abuzime me paratë publike.
