Kreu 11 vjedhje, përfshirë 7 me armë, dogji një makinë dhe kanosi ish-vjehrrën; pranga 30-vjeçarit në Lezhë
Shtetasi Emiljan Nikolli, i njohur edhe si Emiljan Lleshi, është vënë në pranga si i dyshuar për kryerjen e 11 vjedhjeve, ku 7 prej tyre janë kryer nën kërcënimin e armës. Ndërkohë, 30-vjeçari dyshohet gjithashtu se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.
Sipas njoftimit të policisë, është finalizuar faza e dytë e operacionit policor të koduar “Koordinimi”, ku është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga autori i dyshuar Emiljan Nikolli, alias Emiljan Lleshi, për një seri vjedhjesh të kryera me armë.
Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, nga të cilat 7 nën kërcënimin e armës. Gjithashtu, ai dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.
Në vijim të operacionit “Koordinimi” dhe hetimeve të thelluara për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të ndodhura gjatë vitit 2025 dhe janarit 2026, bazuar edhe në informacionet e marra nga rruga operative, shërbimet e Komisariateve të Policisë Kurbin, Lezhë, Mirditë dhe Seksioni i Mbështetjes Operacionale i DVP Lezhë, kanë organizuar dhe finalizuar fazën e dytë të operacionit.
Si rezultat i kësaj faze, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e shtetasit E. N., alias E. Ll., 30 vjeç, banues në Mamurras. Ai është i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve. Këto vjedhje përfshijnë dy karburante, një dyqan dhe 4 taksistë, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe 4 vjedhje të tjera në markete dhe banesa.
Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ishte në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, janë gjetur dhe sekuestruar, si prova materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një aparat celular. 42-vjeçari është proceduar penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit Aurel Luli, i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit. Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.
