Probleme e-Albania bllokojnë bizneset; SelfCare jo funksional

E-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve; sistemi SelfCare nuk funksionon prej një jave, askush nuk jep përgjigje

Aktiviteti i bizneseve është bllokuar prej më shumë se një jave, pasi një platformë e rëndësishme, sistemi SelfCare, që funksionon përmes e-Albania, nuk është funksional. Ky sistem ka pasur probleme edhe më parë, por herë pas here mund të aksesohej. Megjithatë, prej disa ditësh ai është tërësisht jo funksional dhe ankesat e bizneseve kanë rënë në vesh të shurdhër.

Edhe revista Monitor, e cila po trajton këtë problem prej një jave, ka pyetur disa herë pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon platformën, por përgjigja ka qenë: “Sistemi është në rregull”.

Monitor ka mësuar se ka pasur probleme me tenderin e mirëmbajtjes dhe një valë dorëheqjesh ka përfshirë AKSHI-n. Ndërkohë, kanë nisur zyrtarisht hetimet për tendert e dhëna nga ky institucion në vite. Një burim i tha Monitor se “Punonjësit e AKSHI po japin masivisht dorëheqjen nga detyra për ndjekjen e kontratave”.

Profesionistë kanë dërguar me email një mori ankesash në adresat e institucioneve zyrtare. Një prej ankesave, drejtuar institucioneve nga bizneset, thuhet: “Prej më shumë se një jave po hasim vështirësi në aksesimin e platformës SelfCare, pasi kjo platformë nuk lejon kryerjen e asnjë veprimi funksional dhe shfaqet vetëm në formë statike. Si pasojë, procesi i fiskalizimit të faturave të shitjes, deklaratave doganore etj., nga ana jonë është i pamundur, duke na penguar në përmbushjen e detyrimeve ligjore në përputhje me Ligjin nr. 87/2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’, të ndryshuar. Në mbështetje të nenit 26 të Ligjit nr. 87/2019, dhe të VKM nr. 431, datë 03.06.2020, ‘Për Platformën Qendrore të Faturave’, si organe të ngarkuara me ligj, ju lutemi të merrni masat e nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj problematike, me qëllim garantimin e përmbushjes së detyrimeve tona ligjore”.

Kjo situatë po ndodh megjithëse investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit. Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 milionë euro. Po në dekadën e fundit, administrata është shtuar me 20 mijë persona, për të arritur në 184 mijë punonjës, por sërish bizneset nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre.

Shqipëria mund të jetë madje një rast unik ku bizneset i “luten” qeverisë që t’i lërë të punojnë e në këtë mënyrë të paguajnë taksat.

Scroll to Top