Aeroporti Vlorë: Kontratat e dyqaneve dhe duty-free, të pavlefshme!

MABCO: Çdo kontratë për dyqane dhe duty free në Aeroportin e Vlorës, e pavlefshme!

MABCO Construction SA ka lëshuar një njoftim urgjent publik, duke paralajmëruar se çdo kontratë për dyqane, bare apo duty free që po lidhet në Aeroportin e Vlorës nga persona të paautorizuar është pa asnjë vlerë ligjore dhe rrezikon të sjellë pasoja serioze financiare dhe gjyqësore për palët e treta.

Në deklaratën e saj, kompania thekson se çdo marrëveshje e lidhur nga Vegim Hoxha, administrator i emëruar nga Valon Ademi (aksionar me vetëm 2% të aeroportit), është “juridikisht inekzistente, absolutisht e pavlefshme dhe e destinuar të rrëzohet”.

Sipas MABCO, këto veprime po kryhen “në kundërshtim flagrant me ligjin, me statutin e shoqërisë dhe me vendimet në fuqi të gjykatës”. Kompania i bën thirrje autoriteteve shqiptare të tregojnë vëmendje ndaj situatës, duke sqaruar se ka nisur procese gjyqësore si për pavlefshmërinë e vendimeve të asamblesë, ashtu edhe kundër Qendrës Kombëtare të Biznesit për regjistrimin e administratorit të pretenduar.

NJOFTIMI I PLOTË I MABCO PËR PALËT E TRETA

MABCO Construction SA denoncon veprime të paautorizuara në Aeroportin e Vlorës dhe paralajmëron për pavlefshmëri absolute dhe pasoja ligjore të rënda për çdo kontratë të lidhur.

MABCO Construction SA, shoqëri e së drejtës zvicerane dhe ortaku mazhoritar me 98% të kapitalit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport, VIA shpk, paralajmëron publikisht dhe pa ekuivok se çdo kontratë, marrëveshje qiraje apo akt tregtar që po lidhet ose do të tentohet të lidhet për dyqane, bare, duty free apo shërbime të tjera në Aeroportin e Vlorës, nga z. Vegim Hoxha ose nëpërmjet tij, është juridikisht inekzistente, absolutisht e pavlefshme dhe e destinuar të rrëzohet.

Këto veprime po kryhen në kundërshtim flagrant me ligjin, me statutin e shoqërisë dhe me vendimet në fuqi të gjykatës, duke krijuar një situatë serioze pasigurie juridike dhe rreziku ekonomik për çdo palë të tretë që, me ose pa dijeni, përfshihet në këto marrëdhënie.

MABCO Construction SA sqaron se z. Vegim Hoxha nuk është dhe nuk ka qenë kurrë administrator i ligjshëm me kompetenca të plota i VIA shpk. Emërimi i tij bazohet në një vendim të pretenduar të asamblesë së përgjithshme të datës 11 dhjetor 2025, i marrë në mënyrë të njëanshme nga shoqëria 2A Group shpk, e cila zotëron vetëm 2% të kuotave të kapitalit. Ky vendim është marrë pa pjesëmarrjen e ortakut mazhoritar dhe në mungesë të plotë të kuorumit ligjor, në shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit për shoqëritë tregtare, çka e bën atë të pavlefshëm ab initio, pa prodhuar asnjë efekt juridik.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendim të datës 19 dhjetor 2025, ka pranuar kërkesën për sigurim padie të MABCO Construction SA dhe ka vendosur shprehimisht kufizimin e kompetencave të administratorit të pretenduar, duke ndaluar çdo veprim që prek pasuritë, pagesat, të ardhurat apo interesat financiare të MABCO Construction SA brenda VIA shpk.

Në këtë kuadër, çdo kontratë që lidhet aktualisht për ambiente tregtare në Aeroportin e Vlorës dhe nëpërmjet një personi të paautorizuar nga aksionari mazhoritar që zotëron 98% të aksioneve, ekspozon drejtpërdrejt palët e treta ndaj humbjeve financiare, proceseve gjyqësore dhe anulimit të menjëhershëm të çdo të drejte të pretenduar, pa asnjë mundësi transferimi të përgjegjësisë.

MABCO Construction SA i bën thirrje publike autoriteteve zyrtare shqiptare, përfshirë institucionet mbikëqyrëse dhe administrative kompetente, që të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj këtyre veprimeve të paautorizuara, të cilat rrezikojnë jo vetëm sigurinë juridike të palëve të treta, por edhe integritetin e një projekti strategjik me rëndësi kombëtare si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.

Pikërisht për këto arsye, MABCO Construction SA ka ndërmarrë dhe po ndjek paralelisht rrugët ligjore, duke depozituar padi për konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit të asamblesë së përgjithshme, si dhe padi kundër Qendrës Kombëtare të Biznesit, për regjistrimin e këtij emërimi të paligjshëm në kundërshtim me ligjin dhe me vendimet gjyqësore në fuqi.

MABCO Construction SA i bën thirrje çdo subjekti tregtar, kompanie, operatori duty free, rrjeti bar restorantesh apo investitori potencial që të mos mashtrohet nga tentativa për të krijuar një realitet të rremë ligjor. Çdo angazhim i tillë do të rezultojë në një fiasko juridike dhe ekonomike, për të cilën përgjegjësia nuk mund dhe nuk do të transferohet te shoqëria koncesionare apo te ortaku mazhoritar.

MABCO Construction SA deklaron se do të ndjekë pa kompromis çdo rrugë ligjore, civile dhe administrative, kundër çdo akti të ndërmarrë në shkelje të kësaj situate juridike, përfshirë kërkesat për pavlefshmëri, dëmshpërblim dhe përgjegjësi personale për dëmet e shkaktuara ndaj projektit strategjik të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Ky njoftim përbën paralajmërim zyrtar dhe publik. Çdo palë që zgjedh të veprojë në kundërshtim me të, e bën këtë me vetëdije të plotë mbi pasojat ligjore dhe financiare që do të pasojnë.

Scroll to Top