Futbolli në Shqipëri: Ndeshja Historike me Gjermaninë në 1971

“`html

Gjermanët në Tiranën e 1971 dhe sekretet e ndeshjes historike! Kur Beckenbauer u detyrua të dezinfektonte duart në Rinas dhe të pozonte pranë Stalinit

Ndonëse vite dhe dekada kalojnë, sa herë që vjen muaji shkurt, më ngacmon një datë që më rikthen në një ndeshje historike, të përmasave mitike. Për shumë arsye: nga mbërritja e RFGJ-së në Rinas, detyrimi i futbollistëve dhe drejtuesve gjermanë për të larë duart në aeroport, atmosfera, biletat, transmetimi, publiciteti, interesi nga UEFA, si e përjetoi Shqipëria përballjen me gjigantët e kohës si Majer, Vogts, Beckenbauer, Overath, Netzer, Heynckes, Grabowski, Müller, Schnellinger? Bllokimi për dy ditë i kryeqytetit, fotografitë surprizë me Stalinin, tmerri nga Qafë-Kërraba dhe cilët ishin heronjtë e kombëtares? Befasia kur Boriçi aktivizoi në sulm Astrit Ziun me numrin 12, këpucët nr. 46 të Netzerit, goli i Müllerit dhe cilat ishte vajza misterioze që ai njohu në “Dajti”? Nga vajtja në Durrës për jetë nate e “Pancerave”, te bobina e zhdukur e takimit dhe mania e shqiptarëve për emrat Gerd e Franc. Kush e ka përjetuar, futbollistë, dashamirës, opinionistë, gazetarë e kujtojnë me nostalgji edhe sot atë përballje. Bashkë me ish-”Qemal Stafën”, si dëshmitar absolut në atë mesditë dimri. E mërkurë, 17 shkurt 1971 ka qenë, 55 vite, më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Gripi i Hong Kongut

Gripi i Hong Kongut ishte një pandemi që shpërtheu mbarë botën në vitet 1968-69, ku humbën jetën deri në 4 milionë persona. Ai do të vinte e përhapej në Shqipëri në fund të vitit 1969, gjatë festave të Vitit të Ri, duke vijuar agresiv dhe me pasoja për jetën. Një epidemi do të mobilizonte një shtet, të gjitha institucionet shëndetësore në vend. Vetëm në muajin maj epidemia u konsiderua e mundur, por që vijoi edhe më vonë. Ndërkohë, ishin të kufizuara lëvizjet jashtë vendit. Duke qenë se në Turqi kishte rënë malaria, futbollistët shqiptarë pas takimit të Stambollit u izoluan për disa ditë në Durrës. Me urdhër të Mehmet Shehut, çdo njeri që futej në Shqipëri në muajt vijues duhej t’i nënshtrohej masave parandaluese. E ndërsa jemi në shkurt të 1971, në aeroport do të kishte kontrolle, si mënyrë për dezinfektimin e të huajve që vinin në Shqipëri. Një praktikë e tillë u zbatua edhe me ekipin kombëtar të RF Gjermanisë. Sapo kishin zbritur në Rinas, drejtuesit dhe futbollistët u detyruan të lanin duart dhe të fusnin këpucët në një basen me ujë të dezinfektuar gjatë kalimit në aeroport. Këtë e tregon edhe fotoja e publikuar nga Franz Beckenbauer në albumin e tij “Schau’un mer mal”, ku poshtë saj lexojmë: “Franzit iu desh të lante, të fuste duart në një enë me tretësirë dezinfektuese. Kjo supozohej të vriste të gjitha mikrobet kapitaliste”. Vite më vonë, vetë Berti Vogts, i ardhur për ndeshje në Shqipëri, e kujtonte edhe këtë fakt.

Në pritje të skuadrës

Skuadra kombëtare e RF Gjermanisë zbriti në aeroportin e Rinasit me një avion çarter të hënën, 15 shkurt, në mesditë. Me autobusë “FAP” të Parkut të Delegacioneve u drejtuan te hoteli “Dajti”, i vetmi që plotësonte kushtet dhe i priste të gjithë: skuadrën, personalitete etj. Turma njerëzish qëndronin në pritje kur autobusi mori kthesën dhe ndaloi në shkallët e mermerta të tij, por askush nuk mundi të afrohej, pasi gjithçka ishte e kontrolluar. Ndërsa qëndronin në hotel, lojtarët, të shtyrë nga kurioziteti, dilnin në ballkone, deri kur errësira mbuloi qytetin. Vetëm Beckenbauer, i shoqëruar, bëri një shëtitje të vogël. Ndryshe nga ekipet apo klubet që kishin ardhur apo erdhën më vonë në Tiranë, gjermanët nuk sollën ushqime dhe kuzhinier me vete. Nga ndeshja e vitit 1967, vinin vetëm Netzer, Overath dhe trajneri Schön. RF Gjermania është hera e dytë që vjen në Shqipëri, në kombëtaren tiranas. Më parë kanë qenë Overath, Netzer, madje Overath edhe me ekipin e Këlnit, më 1964 për Kupën e Kampioneve. Për të mos përsëritur disfatën e 4 viteve më parë (0-0 eliminues), trajneri Schön për takimin e 17 shkurtit do të sillte në Tiranë skuadrën më të madhe, më të famshme dhe më triumfuese të të gjithë kohërave në historinë e futbollit gjerman, kampione Evrope më 1972 dhe kampione Bote më 1974. Nga Maier, Vogts, Beckenbauer, Heynckes, Grabowski, Overath, Netzer, Müller, deri edhe milanisti Karl-Heinz Schnellinger. Për të cilin kishte refuzim nga klubi italian për të udhëtuar në Tiranë, por pa mundur ta ndalojnë të jetë i pranishëm në atë përballje. Skuadra vjen në Rinas me një avion të veçantë të hënën në mesditë dhe e shoqërojnë gazetarë, fotografë gjermanë; kishte interesim të madh edhe prej tyre. Për të ndjekur takimin, UEFA ka dërguar Sekretarin e Përgjithshëm H. Bangerter. Sistemimi u bë në hotel “Dajti”. Vetëm 1 muaj më parë, RFGJ-ja kishte barazuar 1-1 me Turqinë në Dortmund.

Pano Lulo dhe fotot te Stalini

Ndërsa shoqërues i delegacionit gjerman ka qenë Besim Fagu, kryetar federate, përkthyesi i tyre ishte stomatologu shumë i njohur për kryeqytetasit, Pano Lulo, i diplomuar në Gjermani. Folës, njohës i gjuhës, ai do të bëhej mik i tyre sa herë që Beckenbauer vinte në Tiranë vite më vonë; njeriu i parë që kërkonte të takonte ishte Pano Lulo. Surprizë do të ishte çasti kur ata dolën për shëtitje në bulevard, pranë hotelit. Maier, Müller dhe Beckenbauer panë monumentin e Stalinit. Të befasuar dhe me preferenca anti-Hitler, ata shfaqën interes, duke i kërkuar Panos për t’i bërë foto me Stalinin. Foto këto që Iljaz Çeço ia dorëzoi Beckenbauerit para sfidës së kthimit në Karlsruhe, gjatë një feste të organizuar me rastin e 50 ndeshjeve të tij me Kombëtaren.

“Black out” në kryeqytet

Të martën paradite, Tirana përjetoi një “black out” total të paparë, ku studentë, nxënës, qendra pune, të gjithë në ndjekje të stërvitjes së gjermanëve. Të martën, në pritje që ata ta zhvillonin në mesditë, u informua se do ta bënin paradite. Autobusi me lojtarët rreth orës 10:00 mori rrugën drejt bulevardit. Njerëzit vrapuan drejt “Qemal Stafës”, por stafi gjerman, duke parë terrenin e rënduar të kombëtares, iu drejtua “Dinamos” për stërvitje. Drejt “Tiranës së Re”, pas tij u vunë të gjithë, me vrap, me biçikleta dhe rruga u bllokua, pasi turma që vraponte ishte e madhe. Madje edhe vetë policia u ndodh e papërgatitur për këtë situatë. Gjatë një orë stërvitjeje, në stadium ishin më shumë njerëz se në një ndeshje, duke qëndruar në shkallë e në bordurat e fushës, dhe të tjerë në shkallët e “Dinamos” që kishte hapur dyert, pasi ishte e pamundur t’i mbante të mbyllura. Dëshira për t’i parë nga afër futbollistët gjermanë ishte jashtë çdo logjike.

Këpucët

Dy episode me protagonistë Beckenbauerin dhe Netzerin. Me kërkesën modeste të Pano Lulos, pas ndeshjes Beckenbauer dhuroi këpucët e tij nr. 41-42, të cilat Pano ia dha Namik Jarecit, mikut të tij. Në vitet si arbitër, Jareci me to ka arbitruar, shpesh në mjaft takime ku kemi qenë bashkë, duke biseduar më ka rrëfyer historinë e tyre. Ndryshe me ato të Günter Netzerit. Pas stërvitjes në “Dinamo”, qëllimisht ai i la këpucët në dhomën e zhveshjes të stadiumit. Për shumë kohë ato kanë qarkulluar nga një futbollist te tjetri, edhe pse me nr. të madh, 46-të. Të gjithë futbollistët kanë tentuar, i kanë përdorur duke i vënë pambuk, me dëshirën për të mbajtur, luajtur një ndeshje me këpucët e Netzerit.

Pragfida

Ishte tejet e vështirë të gjëje një biletë për atë takim. Gjithçka me autorizim dhe planifikim për ndërmarrje, institucione, klube, të dalluar, nga 3 copë për futbollistët etj. Nga çmimi normal, në ndeshjet ndërkombëtare ai dyfishohej: 60 lekë tribuna qendrore, 40 ajo përballë dhe 20 ato anësore C-E. Sigurisht, qarkullonin edhe ato false. Stadiumi kombëtar ka një kapacitet minimal të lënë trashëgimi nga ndërtuesit, projektuesit italianë. Vetëm me një unazë në ato vite. Mjaft shikues qëndronin në këmbë e ulur, rreth 20.000 veta. Në sektorin e autoriteteve, si zakonisht, ishte ajo pjesë qendrore e tribunës e rezervuar për udhëheqësit e partisë, anëtarët e byrosë, ministrat, të Komitetit Qendror etj. Forcat e rendit të angazhuara gjatë gjithë takimit, kishin vendosur kufizime e kontrolle përreth e në hyrje të stadiumit. Një “privilegj” iu bë vetëm të njohurit Ali Pazari, që iu la një vend për biçikletat, të cilat i sistemonte dhe i ruante, ndërsa zona para stadiumit ishte krejtësisht e boshatisur, pasi aty do të qëndronin automjetet e zyrtarëve, ambasadave etj. Gazetarët, fotografët, telekronistët shqiptarë e ata gjermanë u vendosën në vijat kufizuese të fushës, ndërsa e gjithë Shqipëria me veshët në valët e Radio Tiranës me zërat e Ismet Bellovës e Aleko Gjergos dhe para televizorëve të markave “Dajti”, “Iliria”, “Butrinti”, duke ndjekur takimin në komentin e Skifter Këlliçit. Sfida ishte vlerësuar në maksimum edhe nga UEFA, që për të ndjekur takimet e dyfishta kishte sjellë Sekretarin e Përgjithshëm Hans Bangerter. Ndërsa publiciteti në stadium ishte tejet modest, i kufizuar për kohën. Vetëm disa njoftime në kryeqytet për ndeshjen dhe të zakonshmet banera në stadium: “Sport, Punë, Kalitje, Shëndet”, “Më Shpejt, më Larg, më Lart”, “Gati për punë, gati për mbrojtje” e ato politike “Të ndërtojmë socializmin me forcat tona”, “Lavdi Marksizëm-Leninizmit” etj., që nuk kishin lidhje me ndeshjen. Dhe tabela e madhe prej dërrase në sektorin “E”, që tregonte orën dhe golat, në të cilën numrat vendoseshin me shkallë nga një person. Para takimit, me altoparlant spektatorët u informuan për formacionet.

Në Elbasan tremben nga rruga

Pa ndaluar në Tiranë, skuadra gjermane nën 21 vjeç u nis direkt për në Elbasan, sepse të martën do të luante me moshatarët shqiptarë të drejtuar nga Skënder Dedja dhe Refik Resmja. Për të ndjekur sfidën, një delegacion me zyrtarë të federatës gjermane, me ta edhe Beckenbauer, udhëtuan të martën për në Elbasan. Të trembur nga rrezikshmëria që i shoqëroi përgjatë kthesave në lartësi të Qafës së Kërrabës, për kthim ata kërkuan një tjetër mundësi për të udhëtuar drejt Tiranës, duke marrë rrugën e vjetër të Peqinit. Ndeshja u mbyll 2-0 për gjermanët, duke evidentuar disa lojtarë për kombëtaret, si Pernaska apo Brajtner, etj.

Te “Donika”, sekret formacioni

Skuadra Kombëtare shqiptare kishte një muaj grumbulluar në hotel “Vollga” në Durrës, ndërsa stërvitjen, madje dy herë në ditë, e bënte në stadiumin e qytetit. Vetëm dy ditë para ndeshjes, me autobusin e “Partizanit” e shofer Estref Bejlerin, ajo erdhi në Tiranë duke u vendosur në hotel “Donika”, i njohur dhe tradicional për sistemimin dhe qëndrimin e sportistëve. Në prag të takimit me RF Gjermaninë, në mungesë të firmave të njohura “Adidas” e “Puma”, që nuk operonin në Shqipëri, nga FSHF-ja u porositën këpucë futbolli “Adidas” në Beograd, me të cilat futbollistët luajtën, por me kushtin që pas takimit duhet t’i dorëzonin. Ndërsa fanellat ishin prodhim vendi, mbi të cilat u qep stema e Republikës. Gjatë dy ditëve nuk pati asnjë koment e deklaratë nga stafi për formacionin antigjerman, të cilin Boriçi do ta shpallte në një sallë të hotel “Donika” disa orë para ndeshjes dhe pa praninë e medias. Edhe skuadra gjermane ishte nën presionin e shtypit dhe trajneri Schön, për të evituar çdo koment, e kishte mbajtur “sekret” formacionin, të cilin do ta zbulonte në Tiranë, para takimit, duke deklaruar: “Ne do të nxjerrim skuadrën më të fortë”.

Vijon nesër…

“`

Scroll to Top