SHBA rishikon rolin në KFOR, diplomatët shqetësohen: Ballkani mund të shpërthejë papritur
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e reduktimit të pranisë së tyre në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë. Ky vendim ka vënë në alarm diplomatët perëndimorë, katër prej të cilëve, të cituar nga burime të informuara, e përshkruajnë këtë lëvizje si një “kthim në gjendjen fillestare” të rolit amerikan brenda NATO-s.
Sipas raportimeve, administrata Trump synon të reduktojë angazhimet ushtarake jashtë vendit, duke rishikuar edhe kontributin në Kosovë. Një hap i tillë shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për ta rikthyer NATO-n në një pakt më të ngushtë euroatlantik të mbrojtjes kolektive, duke u distancuar nga misionet e menaxhimit të krizave dhe partneritetet globale që e kanë karakterizuar atë në dekadat e fundit.
Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë mbi këto informacione, burime diplomatike konfirmojnë se diskutimet, edhe pse aktualisht në fazë të hershme, kanë shkaktuar shqetësim të thellë tek aleatët europianë.
Misioni i KFOR-it, i autorizuar nga OKB-ja dhe i vendosur në vitin 1999 pas luftërave jugosllave, numëron rreth 4,500 trupa. Për shumë analistë, prania e tij mbetet shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë në rajon.
Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se çdo tërheqje e parakohshme mund të inkurajojë elementë radikalë në veri të Kosovës dhe të krijojë një efekt domino, duke përfshirë tensione të reja në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Ne jemi mjaft të shqetësuar,” ka deklaruar një diplomat i lartë i NATO-s, duke shtuar se “në Ballkanin Perëndimor, përshkallëzimi mund të ndodhë shumë shpejt.”
