“`html
Vodafone dhe FSHF, së bashku për transformimin dixhital të futbollit në Shqipëri
Vodafone Albania dhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), anëtare e UEFA-s, organizuan një iniciativë me rëndësi të madhe, duke bashkuar ekspertë të teknologjisë, ekipe inovative dhe drejtues të lartë. Kjo ngjarje, një Bootcamp Dixhital i pari i këtij lloji, pati si qëllim të projektonte të ardhmen e tifozëve të futbollit në Shqipëri.
Ky aktivitet, i zhvilluar në kuadër të “Spirit Day” tremujor të Vodafone Albania, shënon herën e parë që ekipi dixhital i kompanisë bashkëpunon drejtpërdrejt me FSHF-në për të krijuar zgjidhje teknologjike praktike. Këto zgjidhje synojnë t’i përgjigjen nevojave reale operacionale dhe të forcojnë lidhjen e tifozëve me futbollin.
Fokusi kryesor i Bootcamp-it ishte zhvillimi i zgjidhjeve dixhitale që do të përmirësojnë mënyrën se si Federata komunikon me tifozët, si dhe do të avancojnë shërbimet dhe do të rrisin ekosistemin e përgjithshëm të futbollit në Shqipëri. Janë vënë në pah platformat për angazhimin e tifozëve, analizat e bazuar në të dhëna, shërbimet dixhitale dhe mjetet moderne të komunikimit, të dizenjuara për t’i afruar mbështetësit më shumë me lojën.
Balázs Révész, CEO i Vodafone Albania, u shpreh: “Kur dy kampionë bashkohen, rezultatet më të mira janë ato që arrihen. Mendoj se pikërisht këtë kemi parë sot. Ne jemi sponsor krenar i ekipit kombëtar të futbollit dhe i Federatës Shqiptare të Futbollit, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe përmes ekspertizës dhe teknologjisë dixhitale që Vodafone ofron. Sot pamë një gamë të jashtëzakonshme idesh, që shërbejnë për të përmirësuar përvojën e tifozëve dhe për t’u dhënë atyre mundësinë ta përjetojnë këtë sport fantastik edhe më mirë në të ardhmen, përmes mundësive që jep teknologjia.”
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi rëndësinë e transformimit dixhital për organizatat moderne sportive: “Ky ishte një aktivitet shumë i veçantë, shumë i bukur dhe vërtet me rezultate shumë pozitive. Synimi ishte se si ta përdorim teknologjinë në të mirë të komunikimit, në të mirë të afrimit me tifozët, që të komunikojmë sa më mirë përmes teknologjisë. Vërtet idetë ishin fantastike; mënyra e zgjedhur se si t’i marrim këto ide nga ekspertë, specialistë dhe punonjës të Vodafone ishte shumë e bukur dhe besoj se pati një produkt që do të na shërbejë. Padyshim që do të elaborohen më tej dhe do të ndërtojmë projektin e plotë të digjitalizimit të komunikimit të Federatës dhe njerëzve të futbollit, kryesisht me tifozët, që t’i njoftojmë sa më mirë dhe t’i afrojmë sa më shumë ata me futbollin.”
Në këtë Bootcamp u prezantuan katër ide kryesore:
- Ridimensionimi i website-it dhe aplikacionit të FSHF-së.
- Krijimi i një skeme besnikërie për tifozët e futbollit, duke ofruar benefite për përdorimin e aplikacionit të FSHF-së.
- Unifikimi i të gjitha sistemeve të menaxhimit të FSHF nën një platformë të vetme për menaxhimin e tifozëve, sponsorave, lojtarëve, etj.
- Krijimi i një asistenti dixhital online për t’iu përgjigjur tifozëve në kohë reale, i quajtur Alban.
Mes katër ideve të prezantuara, fituese u shpall projekti për ridimensionimin e web-it dhe aplikacionit të FSHF-së.
Duke bashkuar ekspertizën e kompanisë lider në teknologji në Shqipëri me vizionin e institucionit drejtues të futbollit në vend, kjo iniciativë demonstron se si dy aktorë kombëtarë mund të bashkëpunojnë për të çuar përpara të ardhmen e futbollit shqiptar. Vodafone Albania vazhdon të investojë në inovacion, cilësinë e rrjetit dhe zgjidhje dixhitale që fuqizojnë institucionet, bizneset dhe qytetarët, duke forcuar rolin e saj si katalizator i progresit dixhital në Shqipëri.
“`