72 tigra ngordhin nga një virus ngjitës në një kopsht zoologjik në veri të Tajlandës
Rreth 72 tigra kanë humbur jetën javët e fundit në një kopsht zoologjik në pjesën veriore të Tajlandës, pasi u infektuan me një virus shumë ngjitës të murtajës dhe me baktere që dëmtojnë sistemin e frymëmarrjes, sipas njoftimeve të autoriteteve lokale.
Sipas Departamentit të Blegtorisë së Kafshëve në provincën Chiang Mai, analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e virusit, si dhe infeksioneve bakteriale të rënda që kanë përkeqësuar gjendjen e kafshëve.
Këto gjitarë mishngrënës i përkisnin kopshtit zoologjik privat “Tiger Kingdom”, një park i njohur për turistët ku vizitorët mund të “përqafojnë, prekin dhe bëjnë fotografi nga afër me tigrat”, sipas faqes zyrtare të tij.
Deri më tani, nuk ka pasur një koment të menjëhershëm nga menaxhmenti i parkut lidhur me këtë incident.
Kreu i Departamentit të Blegtorisë së Kafshëve deklaroi për një agjenci lokale lajmesh se diagnostikimi i hershëm ka qenë i vështirë. “Kur tigrat sëmuren, është më e vështirë t’i zbulohet sëmundja sesa tek kafshë si macet apo qentë. Kur kuptuam se ishin të sëmurë, ishte tashmë shumë vonë,” tha ai.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve. Organizata PETA Asia deklaroi për AFP se “këta tigra ngordhën ashtu si jetuan: në mjerim, robëri dhe frikë”, duke rikthyer në vëmendje debatet mbi kushtet e mbajtjes së kafshëve të egra në ambiente turistike.
Autoritetet lokale kanë nisur hetime për të përcaktuar rrethanat e përhapjes së infeksionit dhe për të parandaluar raste të tjera të ngjashme.
