Shefi i NATO-s ripërsërit garancitë për KFOR-in
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se misioni paqeruajtës në Kosovë do të mbetet “i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin e tij”.
Gjatë vizitës së tij të sotme në Shkup, Rutte foli edhe për rolin e Maqedonisë së Veriut brenda aleancës, duke theksuar se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike për NATO-n. Ai shprehu mirënjohjen ndaj Shkupit zyrtar për kontributin në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke nënvizuar se ky mision “vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë”.
“Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur misionin”, tha ai, duke shtuar se bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët.
Misioni i KFOR-it u vendos në Kosovë në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai mbetet operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s. Fillimisht, forca shumëkombëshe numëronte mbi 50.000 trupa, ndërsa sot ka rreth 4.700 ushtarë. Rreth 590 prej tyre janë nga Shtetet e Bashkuara.
