“`html
Manifest për arsimin; Kultura e të menduarit në shkollat shqiptare dhe iluzioni i reformës
Reformat e fundit në arsimin shqiptar kanë sjellë më shumë ndryshime në terminologji sesa në mënyrën e të menduarit. Dokumentet përmendin “kompetenca”, “të menduar kritik” dhe “të nxënët gjatë gjithë jetës”, por praktika në klasë mbetet e pandryshuar. Kurrikulat janë shpesh të mbingarkuara, të përkthyera keq dhe të paqarta konceptualisht. Tekstet mësimore funksionojnë si burime informacioni, jo si mjete që nxisin pyetje dhe hulumtim. Vlerësimi vazhdon të matë aftësinë për riprodhim, jo për të menduar. Zhvillimi profesional i mësuesve është formal dhe i shkëputur nga realiteti i klasës.
Flasim shpesh për arsimin, duke hartuar strategji, miratuar dokumente dhe shpallur reforma. Megjithatë, ndjesia kryesore është se thelbi nuk po ndryshon – mënyra se si nxënësi mëson dhe si shkolla e kupton dhe kultivon të nxënit. Praktika e përditshme, vlerësimet kombëtare dhe studimet ndërkombëtare tregojnë një hendek të vazhdueshëm mes qëllimeve të politikave arsimore dhe përvojës reale të nxënësve. Nxënësit nuk posedojnë aftësinë e duhur për të zbatuar njohuritë, për të arsyetuar në mënyrë të pavarur, për të analizuar informacionin dhe për të shprehur ide të strukturuara.
Shkollat nuk ekzistojnë vetëm për të transmetuar përmbajtje. Në një shoqëri që përballet me ndryshime të shpejta, aftësia për të menduar kritikisht dhe në mënyrë të pavarur është po aq e rëndësishme sa njohuritë faktike. Nxënësit janë në gjendje të japin përgjigje, por hasin vështirësi kur u kërkohet të shpjegojnë arsyetimin, të integrojnë dhe të zbatojnë dijet në situata të reja.
MANIFEST, JO STRATEGJI
Arsimi shqiptar ka përjetuar shumë ndryshime dhe reforma, shpesh të nxituara, të paqarta dhe pa koherencë. Shumë prej tyre kanë krijuar iluzionin e ndryshimit, ndërsa realiteti i përditshëm i klasës ka mbetur pothuajse i pandryshuar. Arsimi nuk vuan nga mungesa e reformave, por nga mungesa e mendimit që u jep atyre kuptim dhe drejtim. Problemi është sistemik, jo fragmentar. Duhet të çmontojmë paradigmën pedagogjike të gabuar, sipas së cilës shkolla funksionon sipas modelit tradicional ku të nxënit është thjesht grumbullim informacioni. Arsimi i sotëm kërkon që të nxënit të ndërtohet mbi të kuptuarin, arsyetimin dhe transferimin e dijeve.
Si pasojë e kësaj paradigme të vjetruar, kemi nxënës që “dinë”, por nuk mendojnë; që riprodhojnë, por nuk zgjidhin probleme; që marrin përgjigje, por nuk kuptojnë pyetjen. Kjo shpjegon edhe dështimet në testime që matin krijimtarinë dhe arsyetimin logjik.
Politikat strategjike janë dokumente pa kujtesë dhe pa llogaridhënie. Mbizotëron cikli i hartimit të strategjive të njëpasnjëshme, zakonisht çdo katër vjet, të cilat mbeten dokumente që rrallë zbresin në terren. Strategjitë janë të gjata, plot frazeologji teknike dhe me pak interes publik. Ato nuk mbështeten në vlerësime të sinqerta mbi zbatimin e strategjive të mëparshme. U mungon bilanci i arritjeve dhe dështimeve, duke i lënë si dokumente pa jetë. Arsimit i nevojiten plane veprimi afatgjata, të kuptueshme dhe të zbatueshme, përtej kufijve politikë dhe elektoralë. Reformat e vërteta maten me thellësinë e ndryshimit në klasë, jo me numrin e dokumenteve.
SITUATA AKTUALE: KU NDODHET ARSIMI SHQIPTAR SOT
Çdo analizë serioze për arsimin nis nga njohja e arritjeve. Janë bërë disa përparime të prekshme: pjesëmarrja e rregullt e nxënësve në vlerësime ndërkombëtare, Matura Shtetërore, përmirësime në infrastrukturë, laboratorët e informatikës dhe pajisjet digjitale në disa institucione. Këta hapa janë pozitivë, por të pamjaftueshëm për reforma të thella.
Në shumë zona, veçanërisht rurale, infrastruktura mbetet e dobët, kushtet për mësim janë minimale dhe pabarazitë janë të mëdha. Të dhënat nga testet ndërkombëtare dhe analizat kombëtare zbulojnë dobësi strukturore: vështirësi në zgjidhjen e problemeve të panjohura, të nxënë sipërfaqësor, mbizotërim të mësimdhënies nga mësuesi dhe aftësi të kufizuara të nxënësve për të argumentuar. Këto janë simptoma të një sistemi që i jep përparësi realizimit të programit, jo kuptimit të tij.
Në shoqërinë digjitale të sotme, shkolla nuk mund të konkurrojë me internetin në sasi informacioni. Roli i saj është të ndihmojë nxënësin të kuptojë, të arsyetojë, të interpretojë dhe të zbatojë dijen në situata të reja – të kultivojë kulturën e të menduarit. Informacioni duhet të jetë pikënisje, jo rezultat.
Në praktikën shkollore shqiptare, informacioni trajtohet si synim përfundimtar. Nxënësi shpërblehet për sasinë e dijes që riprodhon, jo për mënyrën se si e kupton apo e përdor. Pyetjet kërkojnë përgjigje të sakta, jo shpjegim. Gabimi shihet si dështim, jo si pjesë e të nxënit. Ka pak hapësirë për mendim të pavarur, reflektim apo pyetje krijuese. Kjo vjen nga një kulturë e trashëguar mësimdhënieje, që e sheh nxënien si riprodhim të kontrolluar të dijes, jo si proces aktiv.
Iluzioni i reformës
Reformat e fundit kanë sjellë më shumë ndryshime në fjalor sesa në mënyrën e të menduarit në shkollë. Në dokumente flitet për “kompetenca”, “të menduar kritik”, “të nxënët gjatë gjithë jetës”, por praktika në klasë mbetet e pandryshuar. Kurrikulat janë të mbingarkuara, të përkthyera dobët dhe të paqarta konceptualisht. Tekstet mësimore shërbejnë si burime informacioni, jo si mjete pune. Vlerësimi mat riprodhimin, jo të menduarin. Zhvillimi profesional i mësuesve është formal dhe i shkëputur nga praktika reale.
TË MENDUARIT – SYNIMI QENDROR I SHKOLLËS
Kultura e të menduarit nënkupton aftësinë e nxënësit për të kuptuar, analizuar, lidhur, argumentuar dhe transferuar dijen në situata të reja. Nuk është një metodë e veçantë mësimdhënieje, por një mënyrë të kuptuari të mësimit në tërësi – një kulturë klase ku pyetja ka të njëjtën vlerë si përgjigjja, procesi peshën e rezultatit, dhe gabimi shihet si pjesë e domosdoshme e të nxënit.
Kultura e të menduarit kërkon që dijet të jenë të qarta dhe të kuptueshme, në mënyrë që nxënësi të zhvillojë aftësi analitike, interpretuese dhe krijuese. Në epokën e teknologjisë, të menduarit është aftësia që i jep kuptim dijes. Ajo nuk nënkupton vetëm saktësi logjike, por edhe prirje për reflektim, ndershmëri intelektuale, kuriozitet dhe angazhim ndaj së vërtetës. Një kulturë e të menduarit është themeli i arsimit cilësor.
ANGAZHIME TË MUNDSHME PËR KULTURËN E TË MENDUARIT
Sistemi arsimor shqiptar ka nevojë urgjente për ndryshim paradigme. Parimi themelor duhet të jetë: Informacioni është pikënisje – ndërtimi, krijimi dhe përdorimi i dijes është qëllimi.
Ky transformim kërkon veprim në pesë shtylla kryesore:
- Kurrikulë për zhvillimin e të menduarit: e qartë, e thjeshtëzuar, e kuptueshme, me fokus te thellësia, jo te sasia. Të reduktojë mbingarkesën, të përqendrohet te konceptet thelbësore dhe zbatimi, si dhe te kompetencat e të menduarit kritik, krijues dhe praktik.
- Teksti si mjet pune, jo burim informacioni: të nxjerrë nxënësin nga pasiviteti dhe të nxisë pyetje, diskutim dhe mendim. Të përmbajë situata nga jeta reale, pyetje zhbiruese, krahasuese e reflektuese, si dhe ushtrime që kërkojnë arsyetim.
- Libri shkollor si instrument i të kuptuarit: jo si enciklopedi e vogël.
- Mësuesi si arkitekt i të menduarit: zemra e reformës. Roli i tij ndërtohet në dy faza: formimi në fakultet dhe zhvillimi profesional gjatë karrierës. Programet të bazohen në doktrinën bashkëkohore të të nxënit, ndërsa trajnimet të jenë të qëndrueshme dhe të lidhura me realitetin e klasës.
- Vlerësimi në funksion të të menduarit: të shpërblejë procesin, jo vetëm rezultatin. Të matë aftësinë për të përdorur dije, për të argumentuar, shpjeguar dhe krijuar qasje të reja ndaj problemeve.
- Llogaridhënie dhe kujtesë institucionale: sistemi ka nevojë për një kulturë të re llogaridhënieje dhe kujtese institucionale, bazuar në transparencë, reflektim dhe vazhdimësi.
Realizimi i reformimit kërkon buxhet më të lartë, përmirësime në infrastrukturë, pajisje didaktike dhe kohë më të madhe të qëndrimit të nxënësve në shkollë, me ushqim të shëndetshëm.
PËRGJEGJËSIA ËSHTË E PËRBASHKËT
Nxënësi dhe mësuesi nuk mund të mbajnë peshën e dështimeve sistemike. Përgjegjësia për gjendjen e arsimit është kolektive dhe e shpërndarë:
- Politikëbërja: për vizion të qëndrueshëm, bazuar në të dhëna.
- Institucionet arsimore: për zbatim me përgjegjësi e transparencë.
- Hartuesit e kurrikulave: për programe të qarta, të zbatueshme dhe të lidhura me praktikën.
- Botuesit: për tekste cilësore që nxisin të menduarin.
- Universitetet dhe fakultetet e edukimit: për formimin e mësuesve të ardhshëm.
Mësuesi shqiptar ka mbajtur për dekada barrën më të rëndë të sistemit, duke u përballur me dokumente të shumta, programe të ndryshueshme dhe pritshmëri kontradiktore. Ndryshimi fillon nga klasa, por nuk mund t’i kërkohet vetëm mësuesit ta mbajë reformën.
MËSIME NGA PËRVOJA NDËRKOMBËTARE
Përvoja ndërkombëtare tregon qartë se cilësia e arsimit varet nga koherenca dhe qëndrueshmëria e reformave, jo nga numri i tyre. Sistemet me rezultate të larta (Finlandë, Estoni, Kanada, Singapor) nuk janë domosdoshmërisht ato me kurrikula më të ngarkuara, por ato që mësojnë nxënësve si të përdorin dijen. Këto sisteme kanë përshtatur parime të qëndrueshme në kontekstin e tyre kombëtar, jo kopjuar modele të huaja.
Ky manifest synon të hapë debatin për arsimin. Nuk ka reformë pa mendim, nuk ka mendim pa përgjegjësi, dhe përgjegjësia është e përbashkët.
“`
