Berisha takon zyrtarin e lartë gjerman: Qëndrojmë të vendosur për integrimin në BE
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me deputetin e CDU-së në Bundestagun gjerman, Peter Beyer. Gjatë deklaratës për mediat pas takimit, kryedemokrati u shpreh se e ka informuar zotin Beyer, i cili është raportues për Shqipërinë pranë CDU-së, mbi situatën aktuale në vend. Berisha theksoi se qëndrimet e opozitës janë të qarta dhe se ata mbeten të vendosur për projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë.
“Zhvillova një takim me deputetin Peter Beyer, një njohës i thellë i Shqipërisë dhe i rajonit tonë. Unë e falënderova dhe shpreha mirënjohjen time më të thellë zotit Peter Beyer, Bundestagut, CDU-së dhe qeverisë gjermane për interesin dhe mbështetjen e tyre të madhe ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe për vëmendjen ndaj zhvillimeve në vendin tonë,” tha Berisha.
Ai shtoi: “E informova për pikëpamjet e opozitës lidhur me këto zhvillime dhe e sigurova se ne qëndrojmë të vendosur për projektin e integrimit të Shqipërisë në Europë, si projekti më i mirë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Natyrisht, e njoha edhe me pengesat e mëdha dhe serioze me të cilat përballemi, siç janë bllokimi i plotë i sistemit të drejtësisë, veprimtaria e kartelëve të drogës dhe fuqia e tyre e madhe për shkak të lidhjeve me nivelet më të larta, si dhe vështirësi të tjera. Megjithatë, e theksova vendosmërinë tonë për të vazhduar përpjekjet në këtë vend për të realizuar projektet që kemi.”
“Faleminderit shumë edhe njëherë, zoti Beyer, për gjithë mbështetjen dhe interesin tuaj për Shqipërinë dhe shqiptarët,” përfundoi Berisha.
