Shehaj në Departamentin e Shtetit: Sulmet ndaj drejtësisë në Shqipëri
Gjatë një vizite në Departamentin Amerikan të Shtetit, Agron Shehaj ka theksuar nevojën për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së për drejtësinë në Shqipëri.
Kreu i Partisë Mundësia njoftoi takimin në rrjetet sociale, duke zbuluar se është pritur nga Lyn Debevoise, zv.drejtori i DASH për Europën Perëndimore dhe Qëndrore. Shehaj informoi zyrtarin e lartë amerikan për 100 mijë firmat e mbledhura nga Partia Mundësia, si një dëshmi e qartë e dëshirës së shqiptarëve për një Shqipëri perëndimore dhe për fundin e pandëshkueshmërisë.
“Për dekada, ëndrra e çdo shqiptari të ndershëm ka qenë fundi i pandëshkueshmërisë. Sot kjo po bëhet realitet. Si kurrë më parë, elita politike dhe kokat e krimit në Shqipëri po përballen me drejtësinë dhe ky është një moment historik,” shkroi Shehaj. Ai shtoi se gjatë takimit kërkoi vazhdimin e mbështetjes, pasi prokurorët dhe gjyqtarët janë nën sulme të vazhdueshme nga krimi i organizuar, pushteti politik dhe një pjesë e mediave.
“Shqipëria mund të bëhet pjesë e Perëndimit vetëm kur askush të mos jetë mbi ligjin,” përfundoi kreu i Partisë Mundësia.
