Çmimi i naftës u ul pas deklaratave të Trump, bursat reaguan pozitivisht
Çmimi i naftës ka pësuar një rënie të ndjeshme pas deklaratave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se lufta me Iranin mund të marrë fund “shumë shpejt”. Nafta, e cila të hënën arriti pothuajse 120 dollarë për fuçi për shkak të shqetësimeve për ndërprerje të furnizimeve energjetike nga Lindja e Mesme, sot në mëngjes zbriti në rreth 90 dollarë për fuçi, duke sjellë një qetësi të përkohshme në tregje.
Megjithëse çmimet janë ulur nga pika më e lartë, nafta mbetet më e shtrenjtë se para fillimit të konfliktit. Nga ana tjetër, bursat në Wall Street dhe në tregjet aziatike kanë shënuar rritje.
Trump shprehu bindjen se “lufta është pothuajse e përfunduar”, por paralajmëroi Iranin që të mos bllokojë Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për transportin global të naftës dhe gazit. Ai theksoi se nëse Irani pengon qarkullimin, Shtetet e Bashkuara do të reagojnë “njëzet herë më fort”.
Garda Revolucionare iraniane, si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të Trump, njoftoi se forcat e armatosura iraniane nuk do të lejojnë “eksportin e asnjë litri nafte nga rajoni”.
Gjatë tregtimit në Azi, çmimi i naftës Brent zbriti përkohësisht nën 84 dollarë për fuçi, përpara se të rikuperohej në rreth 93.76 dollarë. Nafta amerikane ra me rreth 4%, në 90.96 dollarë për fuçi.
Ekspertët e tregut theksojnë se rënia e çmimit u ka dhënë tregjeve një moment “frymëmarrjeje”, por situata mbetet e paqëndrueshme. Sipas analistit të energjisë Alberto Bellorin, tregu i naftës është në një fazë delikate, ku çmimet mund të rriten sërish shpejt në rast përshkallëzimi të konfliktit ose të bien nëse tensionet zbuten.
Ndërkohë, bursat aziatike reaguan pozitivisht ndaj uljes së çmimit të naftës. Indeksi Nikkei në Japoni u rrit me 2.9%, ndërsa Kospi në Korenë e Jugut me 5.4%, duke kompensuar humbjet e mëparshme.
Ngushtica e Hormuzit, ku kalon rreth një e pesta e naftës globale, mbetet një pikë kritike për tregjet energjetike. Vendet e G7 kanë shprehur gatishmërinë për të marrë masa për stabilizimin e furnizimeve energjetike globale. Gjatë një takimi me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, u diskutua edhe mundësia e përdorimit të rezervave strategjike të naftës, megjithëse ende nuk ka një vendim përfundimtar.
Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, theksoi mbështetjen e Londrës për një ulje të menjëhershme të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe garantimin e sigurisë së lundrimit në rajon, duke shtuar se Britania është e gatshme të mbështesë një lirimin e koordinuar të rezervave të naftës nëse kjo do të jetë e nevojshme.
