Shqiptarët, top 5 në Europë për përdorim transporti publik

Shqiptarët në mesin e përdoruesve më aktivë të transportit publik në Europë

Edhe pse opsionet e transportit jo-personale në Shqipëri janë kryesisht të kufizuara në autobusë, shqiptarët shfrytëzojnë sistemin e transportit publik në një masë më të lartë krahasuar me banorët e Bashkimit Europian, të cilët kanë në dispozicion edhe metro, trena e tramvajë.

Sipas të dhënave të Eurostat, gati 17% e shqiptarëve përdorin transportin publik çdo ditë, duke e renditur Shqipërinë në vendin e pestë në Europë. Kjo shifër është më e lartë se mesatarja europiane prej 10.7%. Shqipëria renditet pas Hungarisë, Zvicrës, Çekisë dhe Luksemburgut.

Të dhënat e Eurostat përfshijnë autobusët, tramvajet, trenat dhe metrotë, por përjashtojnë shërbimet me qira private si taksitë ose biçikletat.

Në nivel javor, 20.4% e shqiptarëve e përdorin transportin publik, duke u pozicionuar në vend të tretë në Europë, pas Zvicrës dhe Luksemburgut.

Përdorimi mujor i transportit publik nga shqiptarët arrin gati 21%, duke i vendosur ata të dytët në Europë, pas Turqisë.

Vetëm 11.6% e shqiptarëve e përdorin transportin publik më pak se një herë në muaj, duke u renditur ndër vendet me përdorimin më të ulët në këtë kategori. Po kështu, ata janë ndër të fundit në Europë edhe për sa i përket mos-përdorimit të transportit publik, me 30.2% të popullsisë që nuk e shfrytëzon fare këtë shërbim.

Analiza tregohet se meshkujt përdorin më shumë transportin publik se femrat. Sipas Eurostat, 17.9% e meshkujve mbi 16 vjeç udhëtojnë çdo ditë me transport publik, krahasuar me 15.8% të femrave.

Në Shqipëri, brenda grupmoshave, shihet një dominim i të rinjve në përdorimin e transportit publik:

  • 33.8% e meshkujve nga 16 në 29 vjeç.
  • 34.9% e femrave nga 16 në 29 vjeç.
  • 15.3% e femrave nga 30 në 64 vjeç.
  • 18.8% e meshkujve nga 30-64 vjeç.
  • 4% e pensionistëve.

Numri i ulët i mjeteve private për banorë në Shqipëri është një nga arsyet kryesore për përdorimin e lartë të transportit publik, pavarësisht limitimeve në llojet e tij.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria ka gjithsej 443 mjete për 1000 banorë, një shifër që mbetet ndër më të ulëtat në Europë, edhe pse ka pasur rritje. Për shembull, për sa i përket autoveturave, Shqipëria kishte 328 mjete për 1000 banorë në vitin 2024, ndërsa mesatarja europiane ishte 578.

Krahasimi me Bashkimin Europian (BE)

Në vitin 2024, mesatarisht në BE, 10.7% e personave mbi 16 vjeç përdornin transportin publik çdo ditë, 11.6% çdo javë, 10.0% çdo muaj, ndërsa 17.1% e përdornin më rrallë se një herë në muaj. Mbi gjysma e popullsisë së BE-së, pra 50.6%, nuk e përdornin fare transportin publik.

Ndër vendet e BE-së, Qiproja kishte përqindjen më të lartë të popullsisë që nuk e përdorte transportin publik (85%), e ndjekur nga Italia (68.0%), Portugalia (67.8%), Franca (65.1%), Sllovenia (61.6%) dhe Greqia (61.3%).

Në anën tjetër, Luksemburgu ishte vendi me përqindjen më të ulët të mos-përdoruesve të transportit publik (15.7%), i ndjekur nga Estonia (26.6%) dhe Suedia (26.7%).

Lidhur me përdorimin javor, Luksemburgu kryesonte listën me 23.1% të popullsisë, i ndjekur nga Letonia (19.2%) dhe Estonia (18.2%).

Scroll to Top