Ambasada Britanike reagon për çështjen Balluku: Imuniteti s’duhet të jetë pengesë
Ambasada Britanike në Tiranë ka bërë publik një reagim në rrjetet sociale, ku thekson se imuniteti nuk duhet të pengojë përgjegjësinë e barabartë para ligjit.
Ky reagim vjen në një kohë kur në Kuvend pritet të zhvillohet sot votimi për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK për arrestimin e saj.
“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke njohur progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë themelimin e SPAK-ut. Pushtetet Ekzekutiv, Gjyqësor dhe Legjislativ mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi, si pjesë e synimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të shërbejë si pengesë për përgjegjësinë e barabartë para ligjit”, thuhet në postimin e ambasadës.
