Protesta në Kubë, plaçkitja e zyrave të Partisë Komuniste pas rritjes së çmimeve dhe ndërprerjeve të energjisë
Protestues në Kubë kanë plaçkitur zyrat e Partisë Komuniste pas një demonstratë kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe ndërprerjeve të gjata të energjisë elektrike. Ky veprim shënon një nga shfaqjet e rralla të pakënaqësisë publike në vend.
Sipas Ministrisë së Brendshme kubane, pesë persona janë arrestuar pasi një grup i vogël protestuesish dëmtuan zyrat e partisë në qytetin Moron, në Kubën qendrore, gjatë natës dhe orëve të para të së shtunës.
Pakënaqësia e qytetarëve po rritet ndërsa vendi përballet me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe mungesa të mëdha të ushqimit, karburantit dhe ilaçeve. Autoritetet në Havana thonë se situata është përkeqësuar për shkak të embargos së naftës që, sipas tyre, po imponohet nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, deklaroi se ankesat dhe kërkesat e protestuesve janë “legjitime”, por theksoi se dhuna dhe vandalizmi që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve nuk mund të tolerohen.
Në një postim në platformën X, ai tha se ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike kanë shkaktuar “ankth” te qytetarët dhe ia atribuoi situatën bllokadës energjetike të Shteteve të Bashkuara, e cila, sipas tij, është intensifikuar muajt e fundit.
Protesta ndodhi vetëm disa orë pasi qeveria në Havana konfirmoi se janë duke u zhvilluar bisedime me Shtetet e Bashkuara me qëllim gjetjen e zgjidhjeve përmes dialogut për mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
Në një fjalim televiziv, Diaz-Canel deklaroi gjithashtu se në Kubë nuk ka hyrë karburant gjatë tre muajve të fundit për shkak të embargos së naftës amerikane.
