## Qen robotë, zogj të gjallë dhe kostume superheronjsh: Kazakët shprehin fantazinë në rrugët drejt qendrave të votimit
Qytetarët në Kazakistan votuan sot në një referendum për një Kushtetutë të re, e cila pritet të forcojë më tej kontrollin e Presidentit Kassym-Jomart Tokayev në vendin më të madh të Azisë Qendrore. Propozimi synon të bashkojë dy dhomat e parlamentit kazak në një dhe t’i japë presidentit të drejtën për të emëruar të gjithë zyrtarët qeveritarë, duke përfshirë rivendosjen e postit të zëvendëspresidentit.
Përveç rëndësisë politike të ngjarjes, vëmendjen e kanë tërhequr mënyrat e pazakonta me të cilat qytetarët kanë zgjedhur të shprehin vullnetin e tyre. Në Astana dhe Almaty, votuesit janë paraqitur në qendrat e votimit me veshje të veçanta.
Në Astana, një grua e re ka mbërritur në qendrën e votimit e veshur me një robdeshan dhe me peshqir në kokë, duke imituar një personazh sapo dalë nga dushi. Ajo është shoqëruar nga një qen robot.
Në Almaty, studenti 18-vjeçar Nursultan Dadyl ka votuar i veshur si rrjeti social Threads. Ai ka shpjeguar se, pasi përdoruesit e këtij rrjeti social shpesh debatojnë nën llogari anonime, ai vendosi të sillte jetën reale ndryshe duke ardhur për të votuar në vend që të qëndronte në shtëpi duke kritikuar.
Në qendra të tjera votimi, qytetarë të tjerë janë paraqitur të veshur si Supermeni, Iron Man, Kapiten Amerika dhe Jokeri. Disa madje kanë sjellë me vete edhe zogj të gjallë.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Kazakistanit, deri në orën 14:00 me orën lokale, 6,471,378 qytetarë kishin marrë fletëvotime, duke përbërë 51.93% të elektoratit. Reforma kushtetuese do të miratohet nëse merr mbështetjen e shumicës së atyre që kanë marrë pjesë në votim.
