“`html
Pagat mbajnë buxhetin, investimet nuk prodhojnë rritje
Ekonomia shqiptare po tregon shenjat e para të lodhjes, ndërsa burimet tradicionale të rritjes po arrijnë pikën e tyre maksimale. Për herë të parë, pesha e TVSH-së në buxhet ra në 30.1% në vitin 2025, duke ia lënë vendin taksimit të punës dhe pagave. Vitin e kaluar, 34.6% e arkëtimeve totale u siguruan nga profesionistët, mësuesit dhe mjekët, duke e kthyer punën në motorin e ri fiskal. Nga ana tjetër, edhe pse janë shpenzuar 10 miliardë euro për investime në një dekadë, efikasiteti i tyre mbetet i paqartë. Me një rritje prej vetëm 6.2% të të ardhurave në vitin 2025, niveli më i ulët pas pandemisë, buxheti ka nevojë për leva të reja. Sistemi ynë fiskal, duke u përballur me një sektor ndërtimi që nuk krijon pasuri dhe një rajon që ecën me ritme të shpejta, po përballet me sfidën e shpenzimeve.
Ekonomia shqiptare ka filluar të tregojë shenja lodhjeje, pas një periudhe kur buxheti i shtetit u mbështet nga bumi i ndërtimit, shifrat rekord të turizmit dhe rritja e pagave përmes indeksimit dhe një reagim më i mirë nga tregu i punës. Ndërsa burimet kryesore të rritjes po arrijnë limitet e tyre, me probleme në industri dhe bujqësi, si dhe rënie të eksporteve, arkës së shtetit i nevojitet një strategji e re për të mbajtur ritmin e shpenzimeve gjithnjë e në rritje.
Vitin e kaluar, buxheti publik arkëtoi 44.3 miliardë lekë më shumë se në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 6.2%, niveli më i ulët që pas pandemisë. Për më tepër, 78% e kësaj rritjeje erdhi nga tatimet mbi pagën dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore. Ekonomistët theksojnë se në një sistem të shëndetshëm, rritja duhet të jetë rezultat i konsumit dhe fitimeve të bizneseve. Megjithatë, fakti që burimi i vetëm që gjeneron të ardhura për shtetin mbetet paga (përmes TAP dhe sigurimeve), tregon për një rritje të barrës fiskale për klasën e mesme dhe profesionistët.
Sipas ekspertit të ekonomisë, Oltion Rrumbullaku, sistemi fiskal shqiptar po pëson një ndryshim strukturor rrënjësor, ku tatimet mbi pagat po bëhen kolona kryesore e sistemit. Ndërsa historikisht TVSH-ja ka qenë shtylla e buxhetit, viti 2024 shënoi kthesën e parë ku tatimi mbi pagat tejkaloi TVSH-në. Ky trend po theksohet ndjeshëm gjatë vitit 2025 dhe pritet të forcohet më tej në 2026, për shkak të rritjes së pagës minimale.
Efekti i reformës së pagave në administratën publike gjatë viteve 2023-2024 tashmë është pasqyruar plotësisht edhe në sektorin privat. Megjithatë, kjo ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e ardhshme. Sektori i ndërtimit po shkon drejt maturimit, ndërsa sektori i turizmit, pavarësisht rritjes, vijon të ketë hapësira të mëdha evazioni dhe nuk po kontribuon në arkën e shtetit proporcionalisht me xhiron e tij.
Në këtë kontekst, tatimet mbi pagat po kthehen në mënyrë efektive në kolonën kryesore të sistemit, duke marrë përsipër barrën që dikur e mbante konsumi. Rritja e pagave u kthye gjithashtu në instrumentin kryesor për rritjen e ekonomisë dy vitet e fundit. Në vitin 2024, ekonomia shqiptare u rrit rreth 4%, por analiza e hollësishme e kontribuesve në këtë ecuri tregon një realitet zhgënjyes. Në vend që rritja të vijë nga prodhimi, ndërtimi, tregtia dhe shërbimet apo industria, ajo është mbajtur kryesisht nga efekti fiskal i taksave neto dhe shpenzimet publike për pagat e administratës. Ky model thekson një rritje të nxitur nga politika buxhetore dhe jo nga baza reale prodhuese.
Kjo tendencë ka vijuar edhe në vitin 2025, ku sektori i administratës publike ka qenë kontribuuesi më i madh i rritjes së PBB-së deri në fund të 9-mujorit. Nga ana tjetër e bilancit buxhetor, shpenzimet u dominuan nga pagesat e pensioneve, të cilat kaluan 204 miliardë lekë, mbi 2 miliardë euro ose 25% e totalit të shpenzimeve. Shpenzimet kapitale ishin zëri i dytë më i madh, me rreth 132 miliardë lekë, mbi 1.3 miliardë euro.
Gjatë dekadës së fundit, nga 2014-2025, janë shpenzuar rreth 10 miliardë euro në zërin e investimeve, rreth 4,200 euro për frymë. Krahasimi me vendet fqinje, si Kosova apo Maqedonia e Veriut, tregon se Shqipëria, edhe pse shpenzon më shumë në vlerë absolute, vuan nga mungesa e efikasitetit. Ndërsa rajoni po mbyll korridoret strategjikë dhe po investon në pavarësi energjetike, kapitali shqiptar shpesh “digjet” në procese të gjata burokratike, riparime të vazhdueshme të veprave të ndërtuara keq dhe projekte PPP me kosto të fryra.
Nga ana e të ardhurave, hapësira kontribuuese e biznesit po reduktohet gjithnjë e më shumë, ndërsa investimet publike nuk po nxisin rritjen ekonomike. Kjo situatë e bën të qartë se puna po zëvendëson konsumin si motori kryesor i arkëtimeve në buxhet.
Ndërkohë që shohim ndërtime të reja dhe hotele të mbushura në bregdet, shifrat tregojnë se këta sektorë nuk po kontribuojnë në rritjen e të ardhurave aq sa kontribuon mësuesi, mjeku apo inxhinieri përmes Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP) dhe sigurimeve.
Analiza e të dhënave buxhetore tregon një zhvendosje domethënëse të barrës fiskale. Pesha e konsumit (TVSH) po pëson rënie relative, duke u zëvendësuar gradualisht nga rritja e kontributit të tatimit mbi pagat. Në vitin 2022, TVSH-ja zinte peshën kryesore me mbi 33.4% të të ardhurave totale, ndërsa në vitin 2025, ky tregues ra në 30.1%. Kjo rënie sugjeron një varësi më të ulët të buxhetit nga tatimi i drejtpërdrejtë mbi konsumin e qytetarëve.
Tendenca është e ngjashme edhe për tatimin mbi fitimin. Në vitin 2022, të ardhurat nga ky tatim zunë 8.3% të arkëtimeve totale, teksa në vitin 2025, kontributi ra në 7.8%, duke lënë barrën kryesore të rritjes mbi krahun e punës. Në të kundërt, të ardhurat që burojnë nga puna dhe pagat po fitojnë terren me një ritëm më të shpejtë se rritja e vetë totalit të arkëtimeve.
Tatimet mbi pagat (TAP plus Sigurime) zunë 29.2% të të ardhurave totale në vitin 2022, ndërsa vitin e kaluar, pesha e tyre u rrit në 34.6% të të ardhurave totale. Ky tranzicion fiskal tregon se, ndërkohë që konsumi po lëshon terren si burimi parësor i rritjes, dinamika e tregut të punës po shndërrohet në motorin e ri që po mbështet zgjerimin e buxhetit të shtetit.
Ekspertët paralajmërojnë se duke u mbështetur kaq fort te puna, qeveria po ekspozohet ndaj një rreziku të madh demografik. Nëse emigrimi vazhdon me këto ritme dhe forca punëtore pakësohet, efekti i pagave mund të vihet në diskutim. Për më tepër, rritja e të ardhurave nga puna në dy vitet e fundit nuk ka ardhur domosdoshmërisht nga hapja e vendeve të reja të punës, por nga rritja e detyruar e pagës minimale dhe indeksimet e pagave në sektorin publik. Kjo do të thotë se shteti thjesht po merr një pjesë më të madhe nga një “tortë” që në fakt nuk po zmadhohet realisht në vëllim.
Kur taksat mbështeten te njerëzit që punojnë për të mbajtur në këmbë shpenzimet që rriten me hapa të mëdhenj, krijohet një ndjenjë padrejtësie fiskale që nxit edhe më tej informalitetin ose largimin e trurit. Pa një diversifikim të burimeve të rritjes, ku ndërtimi, turizmi dhe industria të paguajnë pjesën që u takon, ky model i bazuar te “gjuetia e pagës” do të arrijë shumë shpejt pikën e thyerjes, duke e lënë buxhetin pa asnjë alternativë tjetër veç borxhit.
Eksperti Rrumbullaku argumenton se kjo situatë vjen si pasojë e një mbikëqyrjeje më të lartë mbi pagat dhe rritjes së punësimit, por edhe për shkak të dobësive në mbledhjen e tatimit mbi fitimin. Ky i fundit mbetet pre e manipulimeve me faturat dhe hapësirave të mëdha për evazion, pasi kur vetë TVSH-ja rritet me ritme shumë të ulëta, krijohet terren që bizneset të fshehin fitimet reale.
Efekti i cili filloi me reformën e pagave në administratën publike gjatë viteve 2023-2024, tashmë është pasqyruar plotësisht edhe në sektorin privat. Megjithatë, kjo ngre pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e ardhshme, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe pagat po shkojnë drejt maturimit. Sektori i turizmit, pavarësisht rritjes, vijon të ketë hapësira të mëdha evazioni dhe nuk po kontribuon në arkën e shtetit proporcionalisht me xhiron e tij.
Rezervat e vështira fiskale
Me asistencën e FMN-së, qeveria ka në zbatim një strategji fiskale që synon të mbështesë rritjen e të ardhurave nga tatimet mbi pronën dhe administrimin fiskal. Deri më sot, qeveria ka marrë një pjesë të konsiderueshme të ardhurash nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, kur hidhet betoni. Me maturimin e sektorit, strategjia do të fokusohet te Reforma e Kadastrës, sipas planit të Ministrisë së Financave.
Taksat nga pronat në Shqipëri janë shumë të ulëta në raport me vendet e BE-së, por qeveria nuk ka arritur të përmbushë objektivat e saj për të reformuar dhe për të digjitalizuar kadastrën fiskale sipas planit. Pritet kalimi nga taksimi mbi vlerën e tregut. Një apartament në qendër të Tiranës nuk do të taksohet më njësoj si një i tillë në periferi. Kjo konsiderohet si një hapësirë e pashfrytëzuar plotësisht.
Gjithashtu, një seri përjashtimesh fiskale do të rishikohen sipas strategjisë afatmesme të të ardhurave. Turizmi aktualisht gëzon një shkallë të reduktuar prej 6%. Në një skenar krize, rritja e kësaj shkalle drejt 10% ose 20% është leva më e shpejtë për të mbledhur më shumë të ardhura.
Ka ende vend për një fokus te biznesi i vogël, te profesionet e lira dhe pagat e larta që deklarohen pjesërisht. Duke shtrënguar kontrollin mbi pagat nën dorë, të ardhurat nga sigurimet dhe TAP-i mund të rriten edhe pa u rritur pagat reale në treg. Tregtia online dhe shërbimet përmes rrjeteve sociale janë objektivi i radhës. Çdo pako që kalon doganën mund të vlerësohet si një transaksion tatimor.
Nëse nuk takson dot prodhimin, do të takson dot ndotjen. Shqipëria, në rrugën drejt BE-së, pritet të aplikojë taksën e karbonit: Një kosto shtesë mbi karburantet dhe industrinë e rëndë. Nëse qeveria nuk arrin të formalizojë mjaftueshëm ekonominë gri, opsioni i vetëm i mbetur do të jetë rritja e drejtpërdrejtë e normave tatimore ose rritja e borxhit publik, dy rrugë që mbartin kosto të larta politike dhe sociale.
“`
