“`html
Krizat vazhdojnë, ligji për rezervat e naftës u premtua 7 vite më parë
Nga Esmeralda Topi
Çdo krizë globale në tregjet e naftës sjell rritje të menjëhershme të çmimeve në Shqipëri, ndërsa qeveria premton ndërhyrje. Tre javë pas fillimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Tiranë ka arritur në 217 lekë për litër, një rritje prej 42 lekësh krahasuar me çmimin prej 175 lekësh pak ditë më parë. Ky zhvillim, edhe pse i pritshëm në kushte pasigurie globale, ku çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka arritur 110 dollarë për fuçi, ndryshe nga reagimi i Shqipërisë, nuk është as i ri, as i papritur.
Në mars 2022, pak pas nisjes së luftës në Ukrainë, Kryeministri Rama premtoi se Albpetrol, kompania shtetërore e naftës, do të ishte “aktori i ditëve të këqija”. Ai deklaroi se qeveria, përmes Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, do të angazhohej për të krijuar një rezervë të naftës duke përdorur Albpetrol si aktor për situata të vështira. Ky premtim u bë katër vite më parë.
Katër vite më vonë, në mars 2026, kryeministri ritheksoi rolin aktiv të shtetit në treg, duke iu referuar krizës së fundit. Ai u shpreh se do të krijohej një “faktor publik”, duke shtuar se forca e shtetit do të përfshihej edhe në tregun e naftës, duke ndryshuar situatën shumë shpejt. Ai sqaroi se ligji për rezervat ishte në konsultim publik dhe parashikonte një rezervë për 3 muaj.
I njëjti qëndrim u mbajt edhe në takimin me furnizuesit e karburanteve në vend. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Enea Karakaçi, deklaroi se po punohej prej dy vitesh rreth projektligjit në fjalë. Sipas tij, projektligji i ri, që përmbushte nevojat e BE dhe vendit, parashikonte krijimin e një agjencie të posaçme dhe mbajtjen e rezervës nga kjo agjenci, duke e depozituar atë në depozitat e saj ose me qira, për një periudhë 90-ditore.
Faktet
Megjithatë, verifikimet tregojnë se ligji për rezervat strategjike, i cili duhej të krijonte strukturën shtetërore për “ditë të këqija”, ka shtatë vjet që nuk ka avancuar në Kuvend. Për këtë vonesë, Shqipërisë i është tërhequr vëmendja nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë. Një raport i vitit 2025 në kapitullin për Shqipërinë theksonte: “Megjithëse një projektligj i ri për Krijimin, Mbajtjen dhe Menaxhimin e Rezervave Minimale të Sigurisë së Naftës Brute dhe Produkteve të Naftës u përgatit në vitin 2018, ai nuk është miratuar.”
Në shkurt 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hodhi për konsultim publik projektligjin për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Sipas draftit, kjo rezervë do të shërbente si garanci për mosndërprerjen e aktivitetit në vend në rast mungese furnizimi. Rezervat do të siguronin një nivel të lartë sigurie të furnizimit me naftë dhe do të përmbushnin detyrimet ndërkombëtare. Krijimi dhe mbajtja e rezervës do të ndahej mes industrisë dhe një enti publik, Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës. Kjo e fundit do të mbante shumicën e rezervës (të paktën 60 ditë mesatare shitjeje), ndërsa kompanitë dhe rafineritë 30 ditë mesatare shitjeje. Agjencia do të funksiononte me vetëfinancim përmes një tarife për litër karburant. Kjo pikë ishte më e debatuara nga aktorët e tregut.
Aktualisht, detyrimin ligjor për mbajtjen e rezervës së sigurisë e kanë kompanitë hidrokarbure që operojnë në treg, sipas një vendimi të vitit 2004, i cili kërkon mbajtjen e rezervave për 90 ditë të importeve vjetore.
Përfundim
Shqipëria ende nuk ka një rezervë shtetërore të sigurisë së naftës. Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës nuk është ngritur, pasi projektligji që do ta themelonte, pret prej 7 vitesh miratim.
Kur shpërtheu lufta në Ukrainë në vitin 2022, u premtua krijimi i rezervës shtetërore dhe përfshirja e shtetit si aktor në tregun e naftës. Tani, në vitin 2026, ky premtim është ripërsëritur. Pavarësisht ndryshimeve në emra të instrumenteve, rezultati mbetet i njëjtë. E kaluara kishte bordin e transparencës, e tashmja ka task-forcën e naftës, por çmimi në pompë vazhdon të rritet.
Pa një rezervë strategjike, shteti nuk posedon asnjë instrument real për të ndërhyrë në treg dhe për të menaxhuar çmimet. Duke qenë në një vakum politikash, kostoja e kësaj situate përballet drejtpërdrejt nga qytetarët.
“`
