“`html
Grumbullimi i fundit i Kombëtares shqiptare ka rikthyer në vëmendje një fenomen të njohur në historinë e futbollit kuqezi: lojtarë të lindur ose të rritur jashtë vendit, të cilët zgjedhin të përfaqësojnë Shqipërinë.
Thirrja e mbrojtësit të AEK-ut, Stavro Pilo, nga trajneri Silvinjo, është shembulli më i fundit i këtij realiteti që ndërthur historinë, emigracionin dhe identitetin sportiv. Ai vjen pas rasteve të tilla si ai i Bujar Pllanës, i cili ka luajtur me të rinjtë e Kosovës, por së fundmi vendosi të vishte fanellën e Shqipërisë.
STAVRO PILO
25-vjeçari, i lindur në Rodos nga prindër shqiptarë, bëhet futbollisti i shtatë i lindur në Greqi që vesh fanellën kuqezi në nivelin e parë. Shqipëria renditet ndër vendet me më shumë lojtarë të tillë, pas Kosovës dhe Zvicrës, duke treguar ndikimin e diasporës në përbërjen e ekipit kombëtar.
Lista e futbollistëve shqiptarë të lindur në Greqi që kanë luajtur për Kombëtaren përfshin emra të njohur si Thomas Strakosha, Mario Mitaj dhe Enea Mihaj, të cilët vijojnë të jenë pjesë aktive e ekipit. Ndërkohë, Stivian Janku dhe Ardit Toli kanë dhënë kontributin e tyre në ndeshje të ndryshme, duke përfaqësuar një brez që është rritur jashtë Shqipërisë, por ka zgjedhur të luajë për të.
NJË ITALIAN NË KOMBËTARE
Në këtë histori të gjatë spikat një rast unik dhe pak i njohur për publikun e gjerë: ai i Xhakomo Poselit. I lindur në Selanik në vitin 1921 nga një familje me origjinë italiane, ai mbetet një figurë e veçantë në historinë e futbollit shqiptar. Familja e tij u vendos në Vlorë kur ai ishte vetëm 11 vjeç dhe pikërisht aty nisi rrugëtimin në futboll.
Si portier i Flamurtarit, Xhakomo Poseli ra në sy dhe në vitin 1946 mori shtetësinë shqiptare, duke u bërë pjesë e Kombëtares në një periudhë kur futbolli po rindërtohej pas Luftës së Dytë Botërore. Ai debutoi më 13 tetor 1946 në fitoren 1-0 ndaj Rumanisë dhe zhvilloi gjithsej disa ndeshje me përfaqësuesen.
Poseli mban një rekord të veçantë: është i vetmi futbollist në historinë e Shqipërisë që ka luajtur për Kombëtaren pa pasur asnjë origjinë shqiptare, duke u bërë kështu një simbol i hershëm i ndërthurjes së kulturave në sport.
“TRADHTARËT”
Përtej atyre që kanë zgjedhur Shqipërinë, historia njeh edhe raste të kundërta. Futbollistë si Sotir Nini, Panajot Kone, Fiorin Durmishaj apo Andrea Ndoj kanë vendosur të përfaqësojnë Greqinë, ndonëse kanë lidhje shqiptare. Një tjetër shembull është edhe talenti Kristos Tzolis, me prindër nga Dhrovjani i Vlorës, i cili gjithashtu zgjodhi kombëtaren greke.
Këto histori tregojnë se përzgjedhja e një kombëtareje është shpesh personale dhe e ndikuar nga shumë faktorë, përfshirë identitetin, mundësitë sportive dhe rrugën e zhvillimit të karrierës, apo edhe detyrimin që mund të ndiejnë për shkak të klubeve ku aktivizohen.
Megjithatë, rasti i fundit me Stavro Pilon dëshmon se lidhja me Shqipërinë vijon të mbetet e fortë për shumë lojtarë të lindur jashtë saj, duke pasuruar vazhdimisht historinë e Kombëtares kuqezi.
TOMAS GUIDARA
Mbrojtësi arbëresh mund të ishte lojtari i dytë që nuk ka një lidhje direkte me Shqipërinë dhe që mund të luante për fanellën kuqezi. Guidara, i lindur dhe i rritur në Argjentinë, ka një origjinë që lidhet me zonat arbëreshe të Italisë. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Guidara shprehej se kishte dëshirë të luante për Shqipërinë, madje shtonte se që nga dita që ka mësuar për rrënjët e tij, është rritur kurioziteti për të ditur më shumë për prejardhjen e tij dhe mënyrën se nga lidhet me Shqipërinë.
“`
