“`html
Ankohemi për naftën, por tashmë përballemi edhe me krizën e domates, çmimi i së cilës ka kaluar 400 lekë për kilogram!
Domatet, ndër produktet më të popullarizuara në vendin tonë, të kultivuara gjerësisht në sera dhe kopshte familjare, dhe të përdorura gjerësisht në recetat tradicionale, kanë arritur çmime rekord në tregjet e pakicës. Aktualisht, çmimi për domatet e zakonshme varion nga 350 në 440 lekë për kilogram, ndërsa domatet qershi kanë arritur një vlerë të panjohur më parë prej 700-800 lekë për kilogram.
Edhe pse nuk është sezoni kryesor për domatet, pritshmëritë ishin që ato të ishin të disponueshme me çmime të arsyeshme nga serat e dyta që në fillim të prillit. Në janar, për shembull, domatja vendase kushtonte rreth 170 lekë/kg, ndërsa ajo e importuar 270-300 lekë/kg. Tani, duket se edhe domatja vendase ka arritur çmimet e importit.
Ky rritje e ndjeshme e çmimeve vjen si pasojë e një kombinimi faktorësh:
- Sipërfaqe më të vogla mbjelljeje.
- Dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në fillim të vitit.
- Kërkesë e lartë nga tregjet e eksportit.
Të dhënat nga tregu dhe Portali i Fermerëve tregojnë se çmimi me shumicë i domateve në fermë ka qenë 170-270 lekë për kilogram, ndërsa në tregjet e pakicës, domatja është bërë një produkt “që nuk guxon të preket”. Monitorimi i tregjeve të shumicës nga Portali i Fermerit tregon se çmimi i domates ka pësuar një kërcim të fortë, duke u tregtuar mbi 250 lekë për kilogram në qytete kryesore si Tirana, dhe arrin deri në 300 lekë për kilogram në Korçë.
Këto çmime të larta në pikat e grumbullimit reflektohen drejtpërdrejt në xhepat e konsumatorëve në tregjet e pakicës, ku çmimi për kilogram fillon nga 350 lekë, ndërsa varietetet si domatet qershi arrijnë shifra rekord deri në 800 lekë për kilogram.
Analiza historike e INSTAT-it konfirmon këtë trend rritës. Muaji shkurt i vitit 2026 shënon nivelin më të lartë të çmimit mesatar të domates në katër vitet e fundit, duke tejkaluar edhe kulmin e regjistruar në vitin 2023.
Në qytete si Tirana dhe Fieri, çmimet në pikat e shumicës për kategori më të ulëta variojnë nga 170 deri në 230 lekë për kilogram. Megjithatë, kjo nuk reflektohet në dyqanet e lagjeve dhe tregjet e vogla, ku domatja ka bërë një artikull shumë të shtrenjtë, ndërkohë që konsumi i saj është thelbësor për recetat e amvisave dhe restoranteve.
Vitin e kaluar, në këtë periudhë, një kilogram domate kushtonte 80-100 lekë në fermë dhe 150 lekë në tezga, ndërsa sivjet çmimet janë më se dyfishuar.
Kriza e domateve shtrihet në të gjithë Mesdheun
Çmimet e larta të domateve kanë sjellë një krizë të çmimeve të këtij produkti në të gjithë rajonin e Mesdheut. Ndryshimet klimatike kanë sjellë paqëndrueshmëri temperaturash, ndërsa përmbytjet e shkurtit dëmtuan qindra mijëra hektarë sera në Itali, Spanjë, Turqi dhe Shqipëri – vendet kryesore prodhuese të këtij produkti në Europë.
Serat e specializuara për eksport në Fier, Lushnjë dhe Berat u përmbytën katër herë nga nëntori 2025 në shkurt 2026, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme të prodhimit dhe fidanishteve. Uji i tepërt në sera shkaktoi kalbje dhe humbje totale të mbjelljeve të para. Lagështia e lartë pas përmbytjeve favorizon përhapjen e sëmundjeve si vrugu, duke kërkuar investime shtesë në pesticide të shtrenjta dhe duke rritur koston për kilogram në fermë, siç pohoi Mariglen Ziu, një fermer me përvojë në Dimal.
Faktorë të tjerë që kontribuojnë në rritjen e çmimeve përfshijnë:
- Kostot e larta të inputeve bujqësore, veçanërisht plehrat kimike dhe pesticidet.
- Mungesa e fuqisë punëtore në zonat rurale, që ka detyruar fermerët të rrisin pagat ditore, kosto e cila transferohet drejtpërdrejt në çmimin final.
Për shkak të humbjeve nga përmbytjet, shumë fermerë kanë braktisur punën. Prodhimi i mbetur po orientohet drejt eksportit, ku kërkesa e lartë nga tregjet e rajonit dhe Bashkimit Europian lë më pak prodhim dhe çmime më të larta për tregun vendas.
Ndërkohë, qeveria shqiptare nuk ofron subvencione për fermerët për të amortizuar kostot, ndryshe nga vendet e rajonit të Mesdheut, të cilat kanë më shumë masa mbrojtëse dhe ndihma financiare për sektorin bujqësor. Vendet e tjera mesdhetare, megjithëse përballen me sfida klimatike të ngjashme, kanë sisteme kullimi dhe mbrojtjeje më të avancuara. Në Shqipëri, përmbytjet dhe faktorët e tjerë klimatikë godasin më rëndë për shkak të infrastrukturës së vjetruar të kanaleve kulluese, duke e bërë prodhimin vendas më të cenueshëm dhe çmimin më të paqëndrueshëm krahasuar me vendet fqinje.
“`
