Vargu i gjatë i këshillave të “çmuara” nga qeveritarët
Në kulmin e krizës energjetike të viteve ’90, kur furnizimi me energji elektrike ishte i ndërprerë për periudha të gjata, një qeveritar i lartë i asaj kohe, gjatë një interviste për radion “Zëri i Amerikës”, deklaroi se shqiptarët nuk e kishin luksin të ngroheshin me energji elektrike. Kjo deklaratë erdhi në një periudhë transformimi, ku shumë njerëz po përshtateshin me ndryshimet e vrullshme pas vitit 1990, dhe faji për mungesën e energjisë u adresua te “luksi” i qytetarëve. Me kalimin e viteve, vendi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme dhe qytetarët kanë evoluar, por mentaliteti i qeverisjes, sidomos në periudha krizash, nuk ka ndryshuar shumë.
Më kohë të afërt, gjatë rritjes së çmimeve të energjisë pas konfliktit në Ukrainë, një ministre e Ekonomisë këshilloi qytetarët të mendonin mirë para se të hapnin frigoriferin. Kjo këshillë, megjithëse në dukje synonte kursimin, në thelb transferonte përgjegjësinë te konsumatori, sikur problemi të ishte te dera e frigoriferit dhe jo te politikat energjetike apo mungesa e ndërhyrjeve në kohë.
Në vijimësi të kësaj logjike, qytetarëve u është sugjeruar edhe të mos përdorin automjetin për distanca të shkurtra, si për shembull për të blerë cigare, apo që ecja është e dobishme për shëndetin. Edhe pse këshilla mund të tingëllojë e arsyeshme në vetvete, ajo bëhet ironike duke pasur parasysh realitetin:
- Transporti publik është i kufizuar kryesisht në linja autobusi, me pak alternativa.
- Qytetet janë ndërtuar pa mjaftueshëm gjelbërim, trotuare të përshtatshme apo hapësirë të mjaftueshme, duke i bërë ato të papërshtatshme për ecje.
- Infrastruktura e qyteteve paraqet rreziqe për prindërit me karroca fëmijësh dhe të moshuarit.
Ndërkohë, shqiptarët janë ndër përdoruesit më të mëdhenj të transportit publik në Europë, edhe pse opsionet janë të pakta.
Këto episode, të ndara gati 30 vjet nga njëra-tjetra, nuk janë rastësi. Ato janë pjesë e një modeli të përsëritur, ku qeveritë, në vend që të marrin përgjegjësi për politikat dhe rezultatet, apo për mosmenaxhimin e punëve të shtetit, preferojnë të japin “këshilla” qytetarëve, duke zhvendosur kështu barrën e dështimeve nga institucionet te individi apo biznesi. Narrativa mbetet e njëjtë: problemi nuk është menaxhimi ynë (i qeveritarëve), por sjellja juaj.
Sot, në një kontekst të ri krizash dhe çmimesh të larta, kjo qasje duket edhe më e theksuar. Shqipëria vazhdon të ketë ndër çmimet më të larta të karburanteve në rajon, kryesisht për shkak të taksave të larta. Megjithatë, ndërhyrjet për të lehtësuar situatën, pas shtrenjtimit të çmimeve nga kriza në Lindjen e Mesme (me rritje 25-30%), kanë qenë minimale. Instrumente si Bordi i Transparencës, i rikthyer së fundmi, rezultuan problematikë që në fillim, duke u tërhequr pa kaluar 24 orë nga ulja e çmimit në mbledhjen e parë dhe duke e rritur sërish më pas. Qeveria nuk ka pranuar të heqë apo të ulë taksa të rëndësishme, si ajo e qarkullimit mbi naftën, nga e cila vetëm në vitin 2025 janë arkëtuar rreth 250 milionë euro.
Në të njëjtën kohë, qytetarët shqiptarë paguajnë pothuajse dyfishin e taksave për litër krahasuar me vendet e rajonit, të cilat në fakt kanë lehtësuar më shumë barrën fiskale. Në këtë realitet, nuk do të ishte çudi të dëgjonim ndonjë këshillë të re “të çmuar” në ditët në vijim.
Në një vend ku papërgjegjshmëria mbulohet me propagandë, “këshillat” e tilla nuk kanë karakter orientues, edukativ apo këshillues, por janë thjesht instrumente justifikimi, madje arrogantë. Ironia është se, ndërsa qytetarëve u kërkohet të kursejnë, të sakrifikojnë dhe të përshtaten, shteti vazhdon të mbledhë më shumë, pa reflektuar mbi barrën që transferon. Kështu, cikli vazhdon: politika të dobëta, përgjegjësi e shmangur dhe “këshilla” gjithnjë e më kreative.
Siç do të thoshte George Orwell: “Në kohë mashtrimi universal, të thuash të vërtetën bëhet akt revolucionar”. Në rastin tonë, ndoshta e vërteta është më e thjeshtë: qytetarët nuk kanë nevojë për këshilla se si të jetojnë me më pak, por për politika që u japin mundësinë të jetojnë më mirë.
