Ulje çmimi naftë dhe benzinë: Bordi Transparencës vendos

Bordi ul me 8 lekë çmimin e naftës

Pas një rritjeje me 7 lekë vetëm një ditë më parë, Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të naftës me 8 lekë për litër. Ndërkohë, çmimi i benzinës ulet me 1 lekë për litër.

Sipas njoftimit, Bordi i Transparencës, në datën 11 Prill 2026, gjatë mbledhjes së radhës, vendosi si më poshtë:

  • Çmimi i shitjes me pakicë i naftës (gazoilit) standard SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 209 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër.
  • Çmimi i shitjes me pakicë i benzinës standard SSH EN do të jetë jo më shumë se 175 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 163 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot, datë 11, në orën 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe për të ruajtur parimet e konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM:

Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, parashikohet që në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litri, ose për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet aktualisht janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026. Për rrjedhojë, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

Scroll to Top