Meta i dërgon letër publike Komitetit të Helsinkit: Po përballem me persekutim në burg
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar me një letër publike Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke ngritur akuza të forta lidhur me shkeljen e të drejtave të tij gjatë qëndrimit në paraburgim në IEVP “Jordan Misja”.
Në letrën e tij, Meta thekson se po përballet me “pengesa të qëllimshme” në dërgimin e korrespondencës, kufizime në ajrosje, mungesë transparence për vendimet disiplinore dhe vështirësi në komunikimin me përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe familjarët.
Ai pretendon se po i mohohen të drejta themelore, përfshirë njohjen zyrtare të vendimeve që e prekin dhe të drejtën për ankim. Meta ngre gjithashtu akuza për keqinformim të institucioneve monitoruese rreth kushteve të tij të paraburgimit.
Meta cilëson situatën si “persekutim politik” dhe kërkon trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë, si dhe respektim të plotë të të drejtave të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ai i kërkon Komitetit Shqiptar të Helsinkit të verifikojë pretendimet e tij dhe thekson se është i hapur për çdo ballafaqim institucional mbi kushtet e paraburgimit.
