Operacioni ndaj Call Center-ave në Tiranë: Policia publikon pamjet dhe jep detaje
Policia e Shtetit ka bërë publike sot detaje të operacionit të zhvilluar ditën e djeshme kundër disa call center-ave, të cilët dyshohet se kanë mashtruar qytetarë të huaj duke shkaktuar dëme financiare prej miliona eurosh. Hetimet, të cilat kanë zgjatur për dy vite dhe janë shtrirë edhe në Austri, janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë.
Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën për kontrollin e ambienteve ku vepronin këto subjekte, si dhe për kontrollin e banesave të nëntë personave të dyshuar.
Në njoftimin zyrtar thuhet: “Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Ghost Call”, në kuadër të goditjes së veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.”
Policia ka dhënë gjithashtu detaje në lidhje me sekuestrimet e kryera, kryesisht shuma të konsiderueshme parash dhe pajisje të përdorura për kryerjen e veprimtarisë kriminale.
“Gjatë ushtrimit të kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, konkretisht: 443 kompjuterë; 238 telefona celularë; 6 laptopë; si dhe pajisje të tjera si HDD, DVR etj., që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal”, sqarohet në njoftim.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë pesë persona të dyshuar: Kristjan Buda, Benard Biba, Kleidi Dyrma, Ema Taip dhe Eno Hana.
Ky hetim 2-vjeçar, i zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake, ka çuar në goditjen e tre call center-ave në kryeqytet, të cilët kanë mashtruar mijëra qytetarë evropianë, duke shkaktuar humbje financiare deri në 50 milionë euro.
Ndërkohë, dy persona janë shpallur në kërkim, ndërsa një masë detyrim paraqitjeje nuk është ekzekutuar.
Policia konstatoi në ambientet e call center-ave 80 operatorë, nga të cilët pesë u arrestuan në flagrancë, ndërsa njëri u shpall në kërkim.
