“Ku është Braho”, banorja nga Kurbini hipën mbi kangjella, futet në oborrin e SPAK
Një banore nga Kurbini ka hyrë në ambientet e SPAK, duke kërkuar drejtësi për një konflikt pronësie që, sipas saj, zgjat prej vitesh.
Drane Gjoka akuzon Bashkinë e Laçit dhe kryebashkiaken Majlinda Cara se i kanë përvetësuar pronën. Në video shihet banorja teksa ngjitet mbi kangjella dhe futet në ambientet e SPAK, ndërsa një polic tenton ta ndalojë.
“Ku është kryetari i SPAK? Pse më shtrëngon dorën? Çfarë lidhje ka Majlinda Cara? Më ka marrë pronat, mi ka përvetësuar, mi ka shkatërruar pronat,” dëgjohet të thotë ajo teksa polici përpiqet ta nxjerrë jashtë.
Sipas saj, konflikti lidhet me një pronë ku jeton prej viteve ’90 dhe për të cilën pretendon se ka edhe një vendim gjykate në favor. Megjithatë, Gjoka shprehet se me urdhër të Carës prona i është përvetësuar.
“Problemi ynë është shkatërrimi dhe përvetësimi i pronës nga Bashkia Laç. Banesa ime është dëmtuar nga ujërat e bardha, më kanë vendosur tre puseta të jashtëligjshme sipër shtëpisë. Kam blerë kundërajrorin sipas rregullave në fuqi të kohës. Jetoj në atë shtëpi që nga viti 1990, kam bërë gjyq dhe e kam fituar me vendim gjykate për atë ndërtesë. Me urdhër të Bashkisë, Gjovalin Isufi ka ardhur për të bërë zbatim vendimi gjykate, duke ditur shqetësimin tim. Kam bërë kallëzime penale në prokurori, kam letra në Gjykatën e Apelit, por vendimet kanë qenë gjithmonë kundër meje. Kam ardhur për të bërë kallëzim në SPAK, e kam çuar me postë dhe s’kam marrë përgjigje. Nuk mban më ujë pilafi,” shprehet ajo.
Ajo vijon duke thënë se më datë 7 ka bërë kërkesë për ndërtesën, për barakën e bagëtive, por nuk i janë dhënë kurrë letrat. Ndërsa, sipas saj, mirditorëve u janë dhënë letrat. “Këto letra s’më jepen sepse kushëriri i burrit të deputetes është komshi me mua dhe s’më lejon,” shton ajo.
“Kryetarja e bashkisë nuk ma ka dhënë të drejtën, është sipërfaqe 2 dynym për të cilën nuk më kanë dhënë letrat. Kam pasur 7 dynym. Kam dhënë një hyrje për 7 dynym në vitin 1990. Nga SPAK kërkoj, kam bërë tre kërkesa dhe këto i ka fshirë Rexhina Orendi, përgjegjësja e dhomës së ALUIZNI-t,” thotë ajo.
Gjoka kërkonte të bënte kallëzim në SPAK, por oficerët e udhëzuan se duhet ta depozitojë me shkrim.
