“`html
Eric Adams në Tiranë, një tjetër mik i Edi Ramës nën hijen e korrupsionit
Prezenca e Eric Adams si figurë kryesore në Samitin e Diasporës nxjerr në pah paradoksin e Kryeministrit Rama, i cili denoncon korrupsionin ndërsa promovon një personazh të përfolur nga akuza të tilla.
Figurë qendrore e Samitit të Diasporës, organizuar këtë javë nga qeveria shqiptare, ishte Eric Adams, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut. Ai mori shtetësinë shqiptare dhe u prezantua me entuziazëm nga Kryeministri Rama si një simbol i afrimit të Shqipërisë me një nga qytetet më të rëndësishme në botë.
Rama shkroi në rrjetet sociale: “Bota përmbys! Kush mund ta kishte imagjinuar ndonjëherë që kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut do të kërkonte pasaportën shqiptare për t’u bërë edhe qytetar i Shqipërisë? Askush. Si? Pse?”. Sipas tij, kur Adams vizitoi Shqipërinë, i pëlqeu aq shumë Tirana sa pyeti veten nëse mund të bëhej qytetar i këtij “Nju Jorku të vogël”, duke qenë se kurrë nuk e kishte menduar që do të ishte kaq tërheqës.
Kjo pritje entuziaste për ish-kryebashkiakun amerikan u pasqyrua edhe në skenën e samitit, ku Rama ia dorëzoi personalisht pasaportën e re dhe shkëmbyen replika.
“Kjo është ID-ja jote, kjo është pasaporta jote shqiptare. Shpejt do të mësojmë edhe shqip. I dashur Eric, mirë se erdhët në Shqipëri,” tha Kryeministri, duke qeshur.
Adams u përgjigj me mirësjellje: “Kur ecja në rrugët e qytetit në funksionet e mia publike, shikoja shpirtin e diasporës shqiptare. Një pjesë e juaja mund të jenë larguar nga Shqipëria, por ju kurrë nuk e larguat vendin tuaj nga zemrat tuaja.”
Megjithatë, në ditët kur ishte ende në detyrë, Adams shkaktoi përplasje me partinë e tij për qasjen ndaj emigrantëve që kërkonin të ndërtonin një jetë të re në Nju Jork. Katër nënkryetarë bashkie, demokratë, dhanë dorëheqjen për shkak të kësaj politike, raportuan mediat amerikane.
Përtej politikave për emigracionin, qeverisja e tij nuk konsiderohet si mësimi më i mirë i menaxhimit të fondeve publike në administratën amerikane, për shkak të aferave të korrupsionit nga të cilat është akuzuar. Në fund të mandatit, qytetarët e Nju Jorkut e refuzuan, duke e dënuar me “damkën e korrupsionit” për shkak të skandaleve dhe akuzave, të cilat e detyruan të tërhiqej nga fushata elektorale, pa shpresa përballë kandidatit Zoran Mamdani.
Është tashmë i njohur afrimiteti i ish-kryebashkiakut demokrat të Nju Jorkut, Eric Adams, me administratën e Donald Trump, në përpjekje për t’i shpëtuar proceseve penale të ngritura nga drejtësia amerikane. Në dhjetor të vitit të kaluar, “NYTimes” shkruante: “Adams, 65 vjeç, do të largohet nga detyra në fund të këtij muaji pas një mandati të vetëm dhe të trazuar. Ai mbajti disa nga premtimet e fushatës, dështoi në të tjerat dhe pësoi turpin e të qenit kryebashkiaku i parë në historinë moderne të Nju Jorkut që vihet nën akuzë penale.”
Sondazhet tregonin se imazhi i tij ishte dëmtuar në një pikë ku asnjë kryebashkiak më parë nuk kishte qenë, me vetëm 28% mbështetje nga qytetarët e Nju Jorkut. Më shumë se gjysma e votuesve thanë se ai nuk ishte i ndershëm dhe i besueshëm, raportuan mediat amerikane.
“Asnjë kryebashkiak tjetër nuk i ka depiluar vetullat në publik, nuk ka pretenduar se bënte banja me shkumë mes trëndafilash, apo nuk ka folur hapur për mbajtjen e një pistolete në kishë; se asnjë kryebashkiak tjetër nuk ka qenë po aq i prirur t’i kalonte mbrëmjet herë me miq të vjetër nga policia, herë me persona me precedentë penalë, herë me të famshëm të habitur, apo me të pastrehë në metro; se asnjë kryebashkiak tjetër nuk ka lënë kaq shumë paqartësi për vendin ku flinte, çfarë hante, nëse vërtet sapo tha atë që tha, apo në anën e kujt ishte,” shkruante një medium, duke e cilësuar Eric Adams si një “i dashuruar pas luksit”.
Akuzat për ryshfet ndaj Eric Adams
Eric Adams u bë kryebashkiaku i parë në detyrë në historinë moderne të Nju Jorkut që u përball me akuza penale. Sipas tyre, ai kishte abuzuar me postin për të siguruar udhëtime falas ose me fatura të favorshme dhe kontribute të paligjshme nga jashtë për fushatën e tij.
Prokurorët federalë në Southern District të Nju Jorkut, atëherë të drejtuar nga Damian Williams, ngritën pesë akuza kundër Adams: komplot, mashtrim elektronik, kërkim kontributesh të paligjshme nga shtetas të huaj dhe ryshfet. Aktakuza ishte e para ndaj një kryebashkiaku në detyrë në historinë moderne të Nju Jorkut.
Adams u deklarua i pafajshëm dhe pohoi se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Ai argumentoi se çështja ishte ngritur për shkak se si kryebashkiak kishte kritikuar administratën Biden për menaxhimin e krizës së emigrantëve.
Aktakuza, në 57 faqe, përshkruante një skemë që prokurorët thanë se datonte që nga viti 2014, kur Adams u bë president i Brooklyn Borough. Ai akuzohej se kërkonte favorizime nga zyrtarë turq dhe biznesmenë të pasur të huaj, ndërkohë që pranonte të paktën 123,000 dollarë në formën e përmirësimeve të fluturimeve dhe biletave avioni.
Sipas aktakuzës, Adams udhëtoi drejt Francës, Kinës, Sri Lankës dhe vendeve të tjera me Turkish Airlines, kompani e kontrolluar nga qeveria turke, pa i deklaruar këto përfitime si dhurata në formularët e qytetit. Ai akuzohej se kishte vazhduar këtë skemë edhe pasi mori detyrën si kryebashkiak në vitin 2022.
Në këmbim, thanë prokurorët, Adams i kishte bërë presion Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut që të përshpejtonte miratimin për një konsullatë të re 36-katëshe turke në Midtown Manhattan, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë, përpara një vizite të presidentit turk në fund të vitit 2021. Adams deklaroi se në atë rast kishte tentuar vetëm të ndihmonte një qytetar që i ishte drejtuar, gjë që ishte baza e akuzës federale për ryshfet.
Gjithashtu, përmes “donatorëve fiktivë”, Adams u akuzua se mori kontribute nga biznesmenë të huaj të pasur që nuk kishin të drejtë ligjore të financonin fushatën e tij. Duke kërkuar këto donacione të paligjshme, prokurorët thanë se Adams kishte marrë në mënyrë mashtruese miliona dollarë fonde publike të barazimit për fushatën e tij.
Ndërkohë që Adams ishte kryebashkiak, dolën edhe akuza të tjera nga ish-kolegë të tij në Departamentin e Policisë. Fillimisht, katër ish-oficerë të lartë e paditën, duke e akuzuar se kishte mundësuar korrupsion në departament. Oficerët përfshinin veteranë të respektuar që kishin drejtuar njësi si Çështjet e Brendshme dhe Standardet Profesionale, dhe padia e tyre e përshkruante departamentin si të qeverisur nga kaosi dhe klientelizmi.
Zëdhënësja e Adams atëherë i quajti pretendimet “akuza të pabaza nga një ish-punonjës i pakënaqur” dhe tha se padia “nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të marrë dëmshpërblim në kurriz të taksapaguesve pasi ai u largua me të drejtë nga posti i komisionerit të përkohshëm”.
Akuza për sjellje seksuale të papërshtatshme
Përveç këtyre, Adams dhe dy ish-zyrtarë të lartë të administratës së tij janë akuzuar gjithashtu për sjellje seksuale të pahijshme. Në vitin 2024, një grua, e cila tha se kishte punuar me Adams në Policinë e Transitit, depozitoi një padi, duke e akuzuar se në vitin 1993 i kishte kërkuar seks oral në këmbim të ndihmës për karrierën dhe më pas e kishte sulmuar seksualisht kur ajo kishte refuzuar. Padia përmend si të paditur edhe Departamentin e Policisë dhe Guardians Association, një organizatë vëllazërore policësh afro-amerikanë që Adams kishte ndihmuar ta drejtonte në atë kohë.
Adams i ka mohuar me forcë akuzat, duke deklaruar: “Nuk më kujtohet ta kem takuar ndonjëherë këtë person.”
Rama, si magnet i të huajve të akuzuar për korrupsion
Kryeministri Rama, aktualisht në një tur takimesh nëpër Shqipëri, flet për rënien e nivelit të korrupsionit, por ndërkohë nuk e sheh të dëmshme promovimin e një figure si Eric Adams, i cili e ka mbyllur karrierën politike pikërisht për shkak të aferave të dyshuara për korrupsion.
Ky nuk do të ishte rasti i parë. Më herët, Rama ka pasur “flirt” me zyrtarë të huaj të përfshirë në afera korruptive; mjafton të kujtojmë bashkëpunimin me ish-shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për dosjen e Kolegjit të Evropës, apo takimet në kryeministri me Charles McGonigal, ish-kreu i zyrës së kundërzbulimit të FBI në Nju Jork.
Por rasti i Eric Adams ka një ndryshim thelbësor. Ndërsa Mogherini dhe McGonigal e vizitonin Tiranën si dy zyrtarë ende të papërfolur për lakminë e tyre ndaj parave, Adams mban mbi supe një dosje publike të veprimeve të tij. Me përpjekjet propagandistike për të treguar se Shqipëria po afrohet me Perëndimin, Rama ka dhënë një provë se është i aftë të tërheqë vetëm atë lloj zyrtarësh që Perëndimi i flak tej si të papranueshëm për reputacionin e tyre. Dhe reputacioni si i korruptuar nuk ka pasaportë që ta lajë.
“`
