Shqiptari i rrezikshëm kapet me pistoletë “Glock” dhe kokainë në hotel
Një 32-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë në zonën e Lagundos dhe Scena (Bolzano). Arrestimi u bë gjatë një kontrolli në një dhomë hoteli, ku u zbuluan një sasi kokaine dhe një armë zjarri pa leje.
I dyshuari rezulton të ketë precedentë penalë dhe ishte i skeduar më parë. Ai do të akuzohet për posedim narkotikësh me qëllim trafikimin dhe posedim të paligjshëm të armës.
Operacioni nisi nga një kontroll i thjeshtë administrativ për të verifikuar të dhënat e vendbanimit të 32-vjeçarit. Një patrullë shkoi në hotelin ku ai po qëndronte. Brenda dhomës, oficerët vunë re disa pako të hapura, të mbyllura me shirit kafe dhe celofan, të vendosura në mënyrë të dukshme mbi një tavolinë. Ky dyshim për aktivitet të paligjshëm çoi në kryerjen e një kontrolli të plotë të dhomës dhe sendeve personale.
Gjatë kontrollit u sekuestruan:
- Rreth 465 gramë kokainë, në formë blloku, e fshehur në një dollap.
- Dy peshore dixhitale precize dhe materiale të tjera paketimi.
- Një pistoletë me fishekë bosh, një kopje e modifikuar e modelit Glock 17, e përshtatur për të qitur fishekë 9×17 mm.
- Një karikator dhe pesë fishekë.
- 360 euro, të cilat dyshohet të jenë të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Arma, e cila ishte transformuar në një armë zjarri të vërtetë dhe konsiderohej veçanërisht e rrezikshme, do t’i nënshtrohet testeve teknike shtesë.
Pas procedurave standarde, 32-vjeçari u dërgua në burgun e Bolzanos, në pritje të verifikimit të mëtejshëm.
