Marina iraniane: Ngushtica e Hormuzit do të jetë e mbyllur deri në heqjen e bllokadës amerikane. Anijet që do të afrohen do të vihen në shënjestër.
Marina e Gardës Revolucionare Iraniane ka njoftuar se që nga kjo mbrëmje, Ngushtica e Hormuzit do të konsiderohet e mbyllur. Ky vendim do të mbetet në fuqi derisa të hiqet ajo që Teherani e cilëson si bllokadë amerikane ndaj porteve iraniane.
Në një deklaratë zyrtare, forcat detare të IRGC kanë paralajmëruar se “asnjë anije nuk duhet të lëvizë nga vendqëndrimi i saj në Gjiri Persik apo në Detin e Omanit”. Ata shtuan se çdo shkelje e këtij urdhri do të trajtohet si veprim armiqësor.
Sipas njoftimit, disa anije kanë kaluar përmes ngushticës nën menaxhimin e autoriteteve iraniane gjatë orëve të fundit. Megjithatë, rruga strategjike ujore pritet të mbyllet sërish derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës të tërhiqen nga masat kufizuese ndaj porteve të Iranit.
“Afrimi në Ngushticën e Hormuzit do të konsiderohet bashkëpunim me armikun dhe çdo anije që shkel këtë urdhër do të jetë në shënjestër,” thuhet në deklaratë.
