Trafikanti më i kërkuar i Europës, Janos Balla, arrestohet në Meksikë

Janos Balla, trafikanti më i kërkuar në Europë, arrestohet në Meksikë

Qeveria meksikane ka njoftuar arrestimin e një trafikanti të dyshuar droge, i cili figuronte në listën e personave më të kërkuar të Bashkimit Europian. Ministri i Sigurisë i Meksikës, Omar García Harfuch, ka bërë të ditur se 48-vjeçari hungarez Janos Balla, i njohur gjithashtu me pseudonimin “Daniel Takacs”, është ndaluar në shtetin jugor të Quintana Roo.

Autoritetet sqarojnë se Balla ishte dënuar në Bashkimin Europian me gjashtë vjet burg për kontrabandë droge dhe substancash psikotrope. Ai gjithashtu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, përmes një njoftimi të kuq.

Arrestimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes autoriteteve meksikane dhe hungareze. Pas shkëmbimit të informacioneve dhe punës hetimore, u bë e mundur identifikimi i vendndodhjes së tij në komunën Benito Juárez, ku u zhvillua një operacion i koordinuar për ndalimin.

Pas arrestimit, Janos Balla është dërguar në paraburgim nga Instituti Kombëtar i Migracionit në Meksikë. Autoritetet po verifikojnë statusin e tij dhe po përgatisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Europës.

Ky arrestim konsiderohet një sukses i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar nën drejtimin e presidentes Claudia Sheinbaum, e cila ka adoptuar një qasje më të ashpër ndaj karteleve të drogës, duke u shkëputur nga politika e mëparshme e ish-presidentit Andrés Manuel López Obrador.

Në kuadër të kësaj lufte, marrëdhëniet mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara kanë pasur një rol të rëndësishëm. Presidenti amerikan Donald Trump ka ushtruar presion ndaj Meksikës për të forcuar masat kundër trafikut të drogës, duke përdorur edhe kërcënime me veprime ushtarake dhe tarifa ekonomike. Si pasojë, Meksika ka rritur bashkëpunimin me SHBA-në, duke transferuar dhjetëra të dyshuar të kartelit për ndjekje penale. Megjithatë, këto veprime kanë shkaktuar kritika nga disa grupe dhe familjarë të të arrestuarve, të cilët pretendojnë se transferimet janë kryer pa respektuar procedurat ligjore të ekstradimit.

Scroll to Top