Partizani: Kërnaja flet për momentin delikat

EKSKLUZIVE/ Momenti delikat te Partizani, Kërnaja kujton Murinjon: Nuk kërkoj alibi

Partizani po përgatitet për ndeshjen e radhës në kampionat kundër Bylisit. Të kuqtë do të kërkojnë me ngulm rikthimin te fitorja, pasi kanë kaluar katër ndeshje pa marrë tre pikë, ndërkohë që po luftojnë për të siguruar një vend në zonën e “Final Four”. Lidhur me situatën e skuadrës, problemet e ndeshjeve të fundit dhe përgatitjet për sfidën me ballshiotët, për “Panorama Sport” ka folur trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja.

Tekniku i kryeqytetasve theksoi se ekipi ka merituar më shumë nga sa ka arritur, sidomos në dy ndeshjet e fundit. Ai shtoi se golat e pësuar vijnë edhe për shkak të mentalitetit sulmues të ekipit, duke sjellë në vëmendje shprehjen e famshme të Murinjos: “Është më mirë të humbasësh një ndeshje me rezultatin 5-0 sesa pesë ndeshje me rezultatin 1-0”.

Kërnaja ftoi tifozët në stadium për të mbështetur skuadrën, duke kërkuar ndjesë për rezultatet e kohëve të fundit dhe duke u premtuar se ai dhe lojtarët do të japin gjithçka për të arritur rezultatet maksimale, duke filluar nga ndeshja me Bylisin.

Si është gjendja psikologjike e skuadrës pas kësaj serie ndeshjesh pa fitore?

“Të themi të drejtën, vijmë pas dy humbjeve që, për atë që kemi dhënë në fushë, meritonim më shumë, sidomos në dy ndeshjet e fundit. Por futbolli ka një ligj të pashkruar: atëherë kur nuk shënon, do ta pësosh. Edhe pse në dy ndeshjet e fundit kemi pasur 12 raste të sigurta për gol, sërish nuk ia kemi dalë t’i shfrytëzojmë. Megjithatë, djemtë dhe stafi vazhdojnë të punojnë për të marrë më të mirën nga ndeshja e radhës me Bylisin.”

A shqetësojnë golat e pësuar, por edhe fakti që ekipi nuk po i shfrytëzon siç duhet rastet e krijuara gjatë ndeshjeve?

“Golave të pësuar kontribuon edhe filozofia e ekipit tonë, pasi ne hyjmë gjithmonë për maksimumin dhe synojmë lojën sulmuese. Para ndeshjes me Vllazninë, më shqetësonte pësimi i golave nga goditjet standarde, gjë të cilën e kemi rregulluar. Nuk jam nga ata trajnerë që kërkoj alibi. Për shembull, në ndeshjen me Elbasanin, deri në minutën e 90-të ishim 1-0 dhe aty kërkuam të barazonim rezultatin duke futur të gjithë lojtarët ofensivë, madje në ndihmë të sulmit aktivizuam edhe Prekën. Fati nuk ishte me ne, goditëm traversën, humbëm raste dhe sigurisht kishim prishur balancat në mbrojtje. Nëse rrezikon, mund edhe ta pësosh, sidomos në dy rastet e fundit ku kishim prishur balancat duke kërkuar me insistim golin, ashtu si edhe te goli i dytë i Vllaznisë. Dhe ndër të tjera, unë jam me atë shprehjen e Murinjos: ‘Më mirë të humbasësh një ndeshje 5-0 sesa 5 ndeshje nga 1-0’.”

A ka një rënie fizike të lojtarëve në këto ndeshjet e fundit?

“Fizikisht, mund të themi se jemi ndër ekipet që vrapojnë më shumë. Skuadra nuk ka asnjë rënie fizike, kjo shihet edhe nga matjet e parametrave të lojtarëve gjatë ndeshjeve dhe stërvitjeve. Kështu, nuk ka asnjë problematikë sa i takon aspektit fizik.”

Përballeni me një kundërshtar si Bylis që lufton për mbijetesë dhe për të cilin edhe një pikë mund të jetë e vlefshme. Sa e vështirë pritet të jetë kjo ndeshje?

“E përsëris, çdo ndeshje është e vështirë, sidomos tani që po vjen fundi dhe nuk ke më kohë për rikuperim pikësh. Bylis është një ekip serioz dhe këtë e tregoi në ndeshjen e fundit duke barazuar ndaj Dinamos.”

Sa e rëndësishme është të riktheheni te fitorja në këtë moment vendimtar të kampionatit, por edhe në prag të derbit me Tiranën?

“E rëndësishme është të vazhdojmë të luajmë mirë, por këtë herë duke i bashkëngjitur lojës edhe rezultatin, sepse duhet të fitojmë për objektivin që ka klubi, për luftën që kemi për të mbërritur në zonën e ‘Final Four’. Sa i takon derbit me Tiranën, nuk e mendojmë fare çfarë ka javën tjetër, mendojmë vetëm për këtë të diel dhe e gjithë vëmendja jonë është te sfida me Bylisin.”

Si është gjendja e grupit dhe cilat është situata e Skukës?

“Situata e grupit paraqitet optimale. Shpresojmë që të bashkohet me grupin edhe Fadairo, i cili mungon prej kohësh. Ndërkohë, pas pezullimit rikthehet Atanaskoski. Skuka vazhdon stërvitjen i diferencuar, shpresojmë të bashkohet me grupin javën që vjen.”

Keni një thirrje për tifozët në këtë moment delikat të ekipit dhe sezonit?

“Sigurisht, duke u kërkuar edhe ndjesë tifozëve për rezultatet e fundit, të cilat padyshim nuk janë ato që meriton një ekip si Partizani, me një tifozëri si ‘Guerrilsat’. Shpresoj të vijnë të na mbështesin, ne do të djersisim dhe do të luftojmë për çdo centimetër në fushë.”

E. ÇABELI – PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top