Shpërndante kokainë në Patos, arrestohet 28-vjeçari nga Norvegjia
Një 28-vjeçar me shtetësi norvegjeze është arrestuar nga policia në Patos të Fierit, pasi dyshohet se merrej me shpërndarjen e kokainës.
I arrestuari, me iniciale S. T., banonte përkohësisht në një banesë me qira në fshatin Sheqishte të Patosit. Gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj tij dhe automjetit të marrë me qira që ai drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Dyshohet se droga do të shpërndahej kundrejt fitimi financiar.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme lidhur me veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
