Inteligjenca Artificiale godet zyrat, punonjësit e kualifikuar në Shqipëri janë më të ekspozuar
Inteligjenca Artificiale (IA) po rikonfigurton tregjet e punës globalisht, duke sjellë me vete si sfida ashtu edhe mundësi, madje edhe për vende si Shqipëria. Ky konstatim vjen nga një studim i fundit i titulluar “Ndikimi i IA në Tregjet e Punës”, realizuar nga Fondacioni Evropian i Trajnimit (ETF).
Për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, kalimi drejt epokës së IA paraqitet më i vështirë krahasuar me vendet e zhvilluara. Raporti thekson se vendet me të ardhura të mesme, siç është edhe Shqipëria, janë më të prekshme nga efektet automatizuese të teknologjive të IA. Ndryshe nga revolucionet e mëparshme teknologjike që kishin një ndikim kryesisht tek punët manuale, IA po synon profesionet që kërkojnë arsim të lartë dhe aftësi kognitive. Kjo tregon se sektorët e shërbimeve, administrata dhe punët në zyra në Shqipëri mund të përballen me transformime më të thella.
Një nga gjetjet kryesore të ETF-së është se IA ka tendencën të çojë në zhvendosjen e detyrave rutinore. Në kontekstin shqiptar, kjo krijon një rrezik për thellimin e pabarazive, nëse nuk ndërmerren politika të qarta. Punonjësit e rinj, të arsimuar dhe me aftësi digjitale pritet të jenë përfituesit kryesorë, duke e përdorur IA si një mjet për të rritur produktivitetin. Nga ana tjetër, punonjësit me kualifikim të ulët ose ata më të moshuar rrezikojnë intensifikimin e punës dhe humbjen e autonomisë.
Raporti shpreh shqetësimin se nëse Shqipëria nuk investon në rritjen e aftësive dhe ri-kualifikimin e forcës punëtore, ekziston rreziku që përfitimet e produktivitetit nga IA të mbeten të përqendruara vetëm te një grup i vogël personash që zotërojnë njohuri mbi IA.
Një fenomen tjetër i vërejtur është ndikimi te të diplomuarit e rinj. Duke qenë se IA është shumë e aftë në detyrat analitike të thjeshta, të cilat zakonisht u caktoheshin punonjësve të rinj, shkalla e karrierës mund të jetë më e vështirë për t’u ngjitur, sipas studimit. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që IA t’u mundësojë punonjësve me më pak përvojë të kryejnë detyra më komplekse, duke kontribuar kështu në rritjen e klasës së mesme.
Sa i përket kushteve të punës, raporti vëren se përdorimi i menaxhimit algoritmik po shtrihet edhe në vendet e punës tradicionale. Kjo mund të çojë në monitorim më të rreptë dhe rritje të presionit mbi punonjësit. Për tregun shqiptar, ku mbrojtja e punonjësve është ende në proces të konsolidimit, kjo situatë kërkon vëmendje të shtuar nga rregullatorët për të parandaluar abuzimet me privatësinë dhe të drejtat e punës.
Studimi konkludon se suksesi i Shqipërisë në këtë epokë të re do të varet nga vendimet që merren sot. ETF-ja sugjeron zbatimin e një agjende të fortë politike, e cila përfshin aksesin falas në arsimin digjital.
