Iraku ka hapur pikën kufitare Rabia-Til Kocher me Sirinë, pas një periudhe 10-vjeçare mbylljeje.
Autoritetet kufitare irakiane njoftuan se ky vendim synon të përshpejtojë furnizimin me naftë dhe të rivendosë tregtinë ndërkufitare. Kjo lëvizje vjen si pasojë e ndërprerjeve në transportin detar në Gjirin Persik, të shkaktuara nga konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Pika kufitare ndodhet në provincën veriore të Ninevehës dhe do të mundësojë transportin e kamionëve me karburant drejt Sirisë. Gjithashtu, pritet të rikthehet edhe trafiku i mallrave tregtare.
Omar al-Waili, drejtues i Komisionit të Kalimeve Kufitare të Irakut, theksoi se hapja e kësaj pike do të rrisë numrin e kamionëve dhe do të lehtësojë furnizimin me karburant për Sirinë. Aktualisht, shumica e karvaneve mblidhen në pikën kufitare Al-Walid në Irakun perëndimor, e cila ka qenë e vetmja pikë kalimi funksionale deri më tani.
