Lufta në Iran/Pushimet e Verës: Çmime më të larta bileta

Politico: Si po ndryshon lufta në Iran planet tona për pushime, 3 skenarë për verën në Evropë

Çmimet e biletave ajrore pritet të mbeten të larta, ndërsa fitimet e linjave ajrore mund të bien nën presion, si pasojë e ndërprerjeve të vazhdueshme në furnizimin me karburant për avionë përmes Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të naftës.

Sipas analizave të sektorit të aviacionit dhe energjisë, Bashkimi Evropian nuk prodhon mjaftueshëm karburant për avionë për të përmbushur kërkesën e brendshme, duke mbuluar rreth 70% të nevojave në kapacitet maksimal të rafinimit. Kjo e bën tregun evropian të ndjeshëm ndaj çdo ndërprerjeje të furnizimit nga Lindja e Mesme.

SKENARËT

Edhe nëse konflikti zgjidhet shpejt dhe transporti detar në Ngushticën e Hormuzit rifillon, furnizimi nuk stabilizohet menjëherë. Anijet cisternë mund të duan javë të tëra për të arritur në Evropë, duke mbajtur çmimet e larta gjatë gjithë sezonit të verës. Sipas drejtuesve të industrisë, normalizimi i plotë mund të zgjasë muaj.

Ky konsiderohet skenari më i mundshëm: transporti detar rifillon pjesërisht, por me ndërprerje. Kjo do të sjellë rritje çmimesh dhe mungesa lokale në aeroporte. Linjat ajrore mund të anulojnë fluturime më pak fitimprurëse, sidomos në rrugë rajonale dhe për udhëtime të shkurtra.

Disa kompani tashmë po reagojnë. Për shembull, Lufthansa ka paralajmëruar anulime masive fluturimesh për të ulur konsumin e karburantit. Ndërkohë, operatorë të tjerë si Air France-KLM paralajmërojnë se rritja e kostove do të kalojë direkt te konsumatorët.

Nëse ndërprerjet vazhdojnë, rezervat evropiane të karburantit mund të bien nën nivelin kritik, duke çuar në racionim të furnizimit dhe kufizime të fluturimeve. Në këtë rast, problemi nuk do të ishte më vetëm çmimi, por mungesa fizike e karburantit në disa aeroporte.

Komisioni Evropian ka deklaruar se po përgatit plane emergjence, përfshirë mundësinë e përdorimit të rezervave strategjike në rast mungesash serioze.

Ekspertët paralajmërojnë se industria e aviacionit është veçanërisht e ndjeshme ndaj kësaj situate, pasi kombinon dy goditje njëkohësisht: rritje të çmimeve të karburantit dhe pasiguri në furnizim. Transportuesit me kosto të ulët pritet të jenë më të prekurit, për shkak të modelit të tyre të bazuar në fluturime të shpeshta dhe çmime të ulëta.

Në përfundim, edhe nëse kriza zbutet, verën e këtij viti pasagjerët mund të përballen me bileta më të shtrenjta dhe më pak fluturime në disa linja.

Scroll to Top