Rezervat Ushtarake Amerikane të Shteruara nga Lufta me Iranin

Lufta me Iranin ka shteruar rezervat ushtarake amerikane

Që nga fillimi i konfliktit me Iranin në fund të shkurtit, Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar rreth 1.100 raketa kruiz të tipit “stealth” dhe me rreze të gjatë veprimi. Këto raketa ishin prodhuar për një luftë eventuale me Kinën. Ky numër është pothuajse i barabartë me rezervat e mbetura në dispozicion të Shteteve të Bashkuara, sipas një raporti online të publikuar nga një gazetë prestigjioze amerikane.

Në detaje, ushtria ka lëshuar mbi 1.000 raketa “Tomahawk”, pothuajse 10 herë më shumë se numri i raketave të blera nga Pentagoni çdo vit. Gjithashtu, janë përdorur mbi 1.200 raketa “Patriot”, secila me një kosto mbi 4 milionë dollarë, si dhe më shumë se 1.000 raketa me precizion dhe të bazuara në tokë. Këto shpenzime të mëdha kanë lënë depozitat ushtarake në një gjendje shqetësuese.

Ky bilanc është hartuar nga vetë Departamenti i Luftës dhe zyrtarë të Kongresit. Konflikti ka ezauruar pjesën dërrmuese të armatimeve amerikane dhe ka detyruar Pentagonin të përdorë bomba dhe raketa nga bazat ushtarake të vendosura në Azi dhe Evropë. Kjo tkurrje i ka lënë komandat rajonale në një pozitë më të dobët për t’u përballur me një konflikt të mundshëm me Rusinë dhe Kinën.

Ndërkohë, administrata amerikane është detyruar të kërkojë mënyra për të përshpejtuar prodhimin e armatimeve për të adresuar këtë problem, konfirmojnë burime pranë saj. Konflikti ka nxjerrë në pah varësinë e madhe të Pentagonit nga raketat dhe municionet tepër të shtrenjta, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore. Gjithashtu, është shtuar shqetësimi nëse industria e mbrojtjes mund të prodhojë armatime më shpejt dhe më lirë.

Departamenti i Luftës nuk ka bërë të ditur sasinë e municioneve të përdorura gjatë 38 ditëve të luftës përpara hyrjes në fuqi të armëpushimit, dy javë më parë. Institucioni ka raportuar vetëm se ka goditur mbi 13.000 objektiva. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky numër mund të fshehë përdorimin e një sasie shumë më të madhe bombash dhe raketash, duke marrë parasysh që avionët, dronët dhe artileritë zakonisht godasin disa herë të njëjtat objektiva të mëdhenj.

Scroll to Top