Luis Hasa po bëhet një nga emrat më të përfolur në ambientet e Napolit, ndërsa klubi italian po harton planet për mesfushën e sezonit të ardhshëm.
Forma e tij shumë e mirë me Karraresen në Serinë B ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve, të cilët po e konsiderojnë seriozisht rikthimin e tij në skuadër. Mesfushori shqiptar ka treguar një rritje të ndjeshme këtë sezon, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës ku aktivizohet aktualisht.
Megjithatë, një hap drejt Napolit do të përbënte një sfidë të madhe, pasi ai mund të gjendej menjëherë përballë pritshmërive të larta në Serie A.
Situata në mesfushën e Napolit mbetet e hapur, sidomos me të ardhmen e pasigurt të Frank Anguisa, pasi janë shtuar zërat se mesfushori kamerunas do të largohet. Nëse Anguisa vendos të largohet në fund të sezonit, Hasa mund të jetë një nga alternativat më të guximshme dhe interesante për ta zëvendësuar, duke i dhënë klubit një profil të ri dhe një investim për të ardhmen.
Vetëm pak javë më parë, Hasa ka marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij, duke zgjedhur të largohet nga Italia, ku ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave, për t’iu bashkuar në të ardhmen Kombëtares shqiptare. Megjithëse deri tani nuk është ftuar nga Kombëtarja kuqezi në ndeshje zyrtare apo miqësore, pritet që të ketë një ftesë në miqësoret e muajit qershor.
Në të shkuarën, mesfushori shqiptar ka qenë pjesë e të rinjve të Juventusit, por edhe me skuadrën e parë, ku ka fituar Kupën e Italisë, pavarësisht se nuk ka pasur hapësira për të luajtur. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Napolin, ku ai ishte në planet e trajnerit Conte dhe pjesë e skuadrës që fitoi titullin kampion sezonin e kaluar.
