Partizani shkarkon trajnerin Kërnaja: Mesazhe kontradiktore

FOTO/ Pas akuzave për kompromentimin e objektivave, Partizani kthehet te Kërnaja pas një gabimi të madh

Një trajner i shkarkuar, dy mesazhe të ndryshme lamtumire. Kjo përshkruan pak a shumë mënyrën sesi klubi i Partizanit u nda nga trajneri Oltijon Kërnaja, duke i dhënë fund kësaj etape të tij te të kuqtë, vetëm tre javë para përfundimit të sezonit.

Fillimisht, mesazhi i të kuqve dukej si një lamtumirë aspak miqësore, me akuza të rënda ndaj trajnerit për kompromentimin e sezonit. Sipas deklaratës së klubit, “FK Partizani zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Oltijon Kërnaja. Largimi vjen pas rezultateve zhgënjyese që ekipi ka regjistruar së fundmi, çka ka kompromentuar ndjeshëm objektivat e klubit. Përgjatë pjesës së mbetur të këtij sezoni, ekipi do të drejtohet nga stafi teknik aktual, pjesë e të cilit është edhe drejtori sportiv Agim Ibraimi.” Ky ishte mesazhi i publikuar nga klubi, i thatë dhe pa asnjë falënderim për trajnerin që ngriti skuadrën pas një starti katastrofal të sezonit.

Korrigjimi i këtij gabimi u bë pak minuta më vonë. Të kuqtë modifikuan mesazhin e shkarkimit, duke e zbutur atë, të paktën me një falënderim të shtuar mes radhëve. Një fjali e tillë u shtua për të korrigjuar disi gafën e klubit të minutave të mëparshëm: “Partizani dëshiron të falënderojë Oltijon Kërnajën për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe në drejtimin e ekipit, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen.”

PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top