Veliera me dy turistë anglezë në bord bllokohet në Durrës
Dy shtetas anglezë kanë mbetur ditën e sotme të bllokuar në një velierë, rreth 2 milje larg bregut, për shkak të mungesës së karburantit. Ata janë ndihmuar nga Policia Kufitare.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e SPK Shëngjin janë nisur me mjete lundruese drejt vendndodhjes së tyre. Pas lokalizimit të velierës dhe dy turistëve në bord, ata janë marrë me mjet lundrues dhe transportuar në breg.
Veliera është tërhequr dhe dërguar në kalatën e portit të Shëngjinit. Situatën e ka vështirësuar edhe moti i keq dhe vranësirat, të cilat kanë bërë të pamundur kthimin me mjetin e tyre lundrues në breg.
Njoftimi i policisë DVKM Durrës:
Shërbimet e Policisë Kufitare ndihmojnë 2 shtetas të cilëve u ishte pamundur kthimi në breg me mjetin e tyre lundrues.
Në një njoftim të policisë thuhet se menjëherë pas marrjes së njoftimit se dy shtetas kishin mbetur në det me mjetin e tyre lundrues, rreth 2 milje larg bregut, për shkak të mungesës së karburantit, shërbimet e SPK Shëngjin u nisën me mjete lundruese drejt vendndodhjes së tyre.
Shërbimet e Policisë Kufitare lokalizuan mjetin lundrues, velierën, dhe dy shtetas anglezë në bord, të cilët i morën me mjet lundrues dhe i transportuan në breg. Gjithashtu, veliera u tërhoq dhe u dërgua në kalatën e portit të Shëngjinit.
