Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të naftës dhe benzinës
Bordi i Transparencës, në mbledhjen e tij të datës 2 Maj 2026, ka vendosur çmimet e reja për shitjen e nënprodukteve të naftës.
- Gazoili (standard SSH EN 590):
- Çmimi maksimal me pakicë: 206 lekë/litër.
- Çmimi maksimal me shumicë: 194 lekë/litër.
- Benzina (standard SSH EN):
- Çmimi maksimal me pakicë: 184 lekë/litër.
- Çmimi maksimal me shumicë: 172 lekë/litër.
Këto çmime do të hyjnë në fuqi sot, datë 2 Maj, në orën 16:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme.
Bordi tërheq vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me pakicë dhe shumicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Shkeljet e konstatuara do të rezultojnë me pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim mbi Akcizat:
Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, i cili shton nenin për akcizat në ligjin nr. 61/2012, parashikohet që në rast se çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit tejkalon 220 lekë/litër ose i benzinës tejkalon 200 lekë/litër, zbatohet 80% e nivelit të akcizës. Bazuar në metodologjinë e përllogaritjes së çmimeve tavan, çmimet e reja të vendosura janë nën këto kufij. Për këtë arsye, niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.
