VIDEO/ Turqia në tronditje: Avokatë 26-vjeçare vritet me armë zjarri, autori i detyrohej motrës së saj rreth 95,000 euro
Turqia është tronditur nga vrasja e avokates 26-vjeçare, Hatice Kocaefe, nga tregtari Haki Cetin. Ngjarja ka ndodhur pasi Cetin i detyrohej motrës së viktimës rreth 95,000 euro.
Sipas mediave turke, Cetin vrau avokaten e re pasi ajo kishte nisur procedurat ligjore kundër tij për borxhin në fjalë. Ai dyshohet se më parë i kishte kërcënuar dy motrat në telefon, duke kërkuar që ato të tërhiqnin çështjen ligjore. Viktima, Hatice Kocaefe, nuk pranoi të tërhiqej dhe deklaroi se do të vazhdonte me hapat ligjorë.
Dyshimet janë se Cetin u zuri pritë dy motrave ndërsa ato po ecnin me babain dhe vëllain e tyre jashtë një depoje që u përkiste. Siç shihet edhe në pamjet e kamerave të sigurisë, Cetini qëlloi nga brenda makinës së tij, duke e goditur avokaten në gjoks dhe motrën e saj në gju.
Të plagosurat u transportuan menjëherë në spital, por fatkeqësisht, 26-vjeçarja Hatice Kocaefe nuk arriti të mbijetojë.
Ngjarja, e cila u raportua gjithashtu në median ndërkombëtare, tregon momentet kur dy motrat, së bashku me të atin, u qëlluan dhe ranë në tokë. Autor i dyshuar i ngjarjes, i cili u largua nga vendi i ngjarjes, është shpallur në kërkim.
