Arrestohet 50-vjeçari shqiptar, i kapur me 300 mijë euro dhe 32 kg lëndë narkotike
Autoritetet italiane kanë arrestuar një 50-vjeçar me origjinë shqiptare dhe një 27-vjeçar nga Maroku, të cilët dyshohen për trafik të lëndëve narkotike për shitje. Gjatë operacionit, janë sekuestruar gjithashtu rreth 300 mijë euro para në dorë.
Aksioni policor u zhvillua pas disa ditësh vëzhgimi, gjatë të cilave hetuesit kanë monitoruar lëvizjet e dy të dyshuarve. 27-vjeçari maroken është parë duke qarkulluar në disa qytete në periferi të Milanos, duke bërë ndalesa të shpeshta dhe duke mbajtur kontakte të vazhdueshme telefonike. Më pas, ai është drejtuar drejt Bergamos, ku ka ndaluar në një zonë pushimi pranë një kamioni me targa shqiptare.
Sipas hetimeve, në këtë moment dyshohet të jetë kryer shkëmbimi: marokeni i ka dorëzuar shoferit shqiptar dy çanta me rreth 270 mijë euro, ndërsa në këmbim ka marrë dy qese plastike që përmbanin 10 kilogramë kokainë dhe 17 kilogramë heroinë.
Kontrollet kanë vijuar edhe në banesën e 27-vjeçarit, ku janë gjetur edhe 2.5 kilogramë kokainë shtesë. Në një garazh në zonën e Vizzolos, policia ka zbuluar gjithashtu një automjet me një ndarje të fshehtë në bagazh, i cili dyshohet se është përdorur për transportin e lëndëve narkotike.
