Një nga qytetet më të mëdha në botë po fundoset me 30 centimetra çdo vit
Mexico City, qyteti më i madh në Amerikën e Veriut, po fundoset me një ritëm të shpejtë, duke u bërë i dukshëm edhe nga hapësira. Imazhet satelitore të NASA-s kanë treguar se metropoli meksikan po humb lartësi me një shpejtësi prej rreth 30 centimetrash në vit, duke u renditur midis qyteteve që fundosen më shpejt në botë. Ky fenomen mund të kërcënojë seriozisht themelet e tij, sipas një raporti të AP.
“Ky është një problem shumë serioz,” tha Enrique Cabral, një studiues i gjeofizikës në Universitetin Kombëtar Autonom të Meksikës. “Ai po shkakton dëme në pjesë thelbësore të infrastrukturës së Qytetit të Meksikës, duke përfshirë metronë, sistemin e kanalizimeve, sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm, shtëpitë dhe rrugët.”
Me një popullsi që tejkalon 22 milionë banorë dhe një sipërfaqe prej rreth 3,000 miljesh katrorë, Qyteti i Meksikës u ndërtua fillimisht mbi shtratin e një liqeni të lashtë. Kjo histori vërtetohet nga fakti se shumë nga rrugët e tij dikur kanë qenë kanale, siç raportohet nga gazeta “The Independent”. Për shkak të pompimit të ujërave nëntokësore dhe zhvillimit të gjerë urban, akuiferi është tharë pothuajse plotësisht, duke bërë që qyteti të fundoset për më shumë se një shekull.
Qyteti po fundosej me një mesatare prej dy inç (rreth 5 cm) në vit në fund të viteve 1800. Deri në vitin 1950, ky numër u rrit ndjeshëm në 45 inç (rreth 114 cm), sipas ABC News. Në përgjithësi, disa zona janë fundosur me qindra metra, ndërsa një pjerrësi e konsiderueshme është vërejtur në ndërtesa historike si Katedralja Metropolitane, ndërtimi i së cilës filloi në vitin 1573.
Studiuesit kanë matur shkallën e fundosjes duke përdorur të dhëna nga sateliti i NASA-s, i njohur si NISAR, për periudhën tetor 2025 – janar 2026. Ata zbuluan se disa pjesë të qytetit, si aeroporti kryesor dhe monumenti i Engjëllit të Pavarësisë, po përjetojnë një ritëm fundosje prej 2 centimetrash në muaj. Kjo do të thotë që në më pak se njëqind vjet, këto zona janë fundosur më shumë se një metër. Në disa zona, ndryshimi i lartësisë ka kaluar 3 metra.
«Ky satelit në thelb dokumenton të gjitha këto ndryshime brenda një qyteti», tha Paul Rosen, shkencëtar i NISAR, duke theksuar efektivitetin e zbulimit hapësinor. «Mund të shohësh të gjithë problemin në tërësi.»
Shkalla e degradimit është veçanërisht e dukshme në distriktin Iztapalapa, një nga zonat më të prekura. “Shtëpitë e ndërtuara mbi shkëmbinj vullkanikë janë të qëndrueshme, por shtëpitë që ndodhen përgjatë fushës së liqenit janë shembur, shumica e tyre”, tha për ABC News Carreón-Freyre, një ekspert i fundosjeve në Mexico City.
Ulja e sipërfaqes nuk është problemi i vetëm. Ekspertët druhen se tkurrja e akuiferit mund të çojë gjithashtu në mungesa serioze të ujit. Në të ardhmen, ekipi shpreson të krijojë një model të shkallës së fundosjes për secilën ndërtesë individualisht, gjë që do të ofrojë informacion të rëndësishëm se si mund të minimizohen dëmet.
