SPAK përfundon hetimin për ish-oficerin Igli Haxhiaj

SPAK përfundon hetimin për ish-oficerin e operacionales, Igli Haxhiaj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 49/3/1 të vitit 2026. Ky procedim është në ngarkim të Igli Haxhiaj, i cili është hetuar që prej 27 nëntorit 2025 nën masën e sigurimit “arrest në burg”.

Prokuroria ka përfunduar hetimet për Igli Haxhiaj, i cili është hetuar nën masën e sigurimit “arrest në burg” që prej datës 27.11.2025, sipas nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale. Ai akuzohet për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 248, 295/a, paragrafi (3) dhe 319/ç të Kodit Penal.

Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimeve 49/3 të vitit 2023 (nr.49 viti 2019) dhe nr.29 viti 2024, të cilat lidhen me vepra penale siç janë: “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafik i narkotikëve”, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave nga grup i strukturuar kriminal”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2, 334/1, 248, 295/a, paragrafi (3) dhe 319/ç të Kodit Penal.

Këto procedime penale janë hetuar në bashkëpunim me Prokurorinë Distriktuale Antimafia në Breshia, Itali, dhe Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës, duke formuar një Skuadër të Përbashkët Hetimore. Në Shqipëri, hetimet paraprake për procedimin penal nr.49/3 të vitit 2023 (nr.49 viti 2019) janë zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit.

Hetimet e përbashkëta kanë zbuluar veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, i cili synonte trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky grup operonte nga territori shqiptar me degëzime në territorin italian, duke importuar lëndë narkotike drejtpërdrejt nga Amerika e Jugut. Lëndët hynin në portet kryesore të Europës Veriore dhe më pas transportoheshin drejt Italisë në rrugë tokësore, të fshehura në automjete të rënda.

Ndërkohë, hetimet paraprake për procedimin penal nr.49 viti 2019 të Prokurorisë së Posaçme, në kohën kur kanë ndodhur faktet penale, kanë qenë të karakterit “sekret hetimor”, bazuar në nenin 279/1 të Kodit të Procedurës Penale.

Faktet penale në ngarkim të të pandehurit Igli Haxhiaj:

  • Gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr.49 të vitit 2019, u lejua përgjimi i bisedave telefonike dhe ambientale për disa nga të dyshuarit e grupit kriminal, si dhe për dy automjete në përdorim të njërit prej anëtarëve të grupit (D.M.). Policia gjyqësore pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Tiranë u ngarkua me realizimin e përgjimeve ambientale dhe vëzhgimeve në vende publike. Në këtë fazë, i pandehuri Igli Haxhiaj, në cilësinë e oficerit të policisë gjyqësore, bëri pjesë në grupin hetimor që kryente përgjimin dhe vëzhgimin e fshehtë të subjekteve, duke kryer veprime vëzhgimi ndaj shtetasit D.M. dhe automjeteve të tij. Hetimet kanë provuar se Igli Haxhiaj i ka zbuluar shtetasit D.M. faktin se ai ishte objekt i hetimeve dhe i veprimeve të përgjimit. Ai gjithashtu i ka dhënë informacione dhe ka zbuluar përmbajtjen e akteve që përbëjnë “sekret hetimor”. Në këto rrethana, provohet se Igli Haxhiaj ka kryer veprën penale “Zbulim i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a, paragrafi (3) i Kodit Penal.
  • I pandehuri Igli Haxhiaj i ka kryer këto veprime të zbulimit të të dhënave dhe akteve procedurale që përbëjnë “sekret hetimor” në këmbim të përfitimeve monetare të parregullta. Ai ka komunikuar përmes platformës së enkriptuar SKY ECC me shtetasin D.M., një anëtar i grupit të strukturuar kriminal, duke i ofruar informacion për veprimet hetimore. Nga këto biseda provohet se Igli Haxhiaj e ofronte informacionin në këmbim të parave, konkretisht të shumës prej 15.000 euro. Në këto rrethana, provohet se ka kryer veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
  • Nga hetimet dhe bisedat e zhvilluara nga Igli Haxhiaj përmes aplikacionit SkyECC me persona të tjerë, provohet se ai ka diskutuar për tregtimin e lëndëve narkotike, duke shkëmbyer biseda për llojin e lëndës, çmimet dhe veprimet e blerjes e shitjes. Si Oficer i Policisë Gjyqësore, kur u njoh me faktet dhe rrethanat që lidheshin me shitjen, transportimin dhe tregtimin e lëndëve narkotike, Igli Haxhiaj kishte detyrimin ligjor të kryente veprimet procedurale për hetimin e këtyre veprave penale dhe autorëve, si dhe të informonte prokurorin kompetent. Mosveprimet e tij bien në kundërshtim me nenet 30 dhe 293 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenet 17 dhe 85 të ligjit nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Këto mosveprime përbëjnë moskryerje të rregullt të detyrës, pasi ligji ngarkon me përgjegjësi individuale punonjësin e policisë për çdo veprim apo mosveprim në kundërshtim me ligjin gjatë ushtrimit të funksioneve të tij. Në këto rrethana, provohet se Igli Haxhiaj ka kryer veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Scroll to Top