Kompania offshore nis punimet për resortin në Zvërnec, pa marrë lejen zyrtare nga KKT
Kompania që po zhvillon projektin për resortin luksoz në Zvërnec ka nisur punimet në zemër të ekosistemit të mbrojtur Pishë Poro – Nartë, duke vepruar me një leje të paqartë nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), ndërkohë që institucionet lokale dhe qendrore duket se injorojnë situatën.
Të enjten, më 30 prill, aktivisti mjedisor Taulant Bino ka konstatuar pranë plazhit të Hidrovorit, në kufi me lagunën e Nartës, një seri kamionësh të rëndë të ngarkuar me materiale dhe një grup punëtorësh që rrethonin zonën e mbrojtur. Ekskavatorë po sheshonin tokën mes pishave.
Kur Bino filloi të fotografonte kamionët, punëtorët i kërkuan të ndalonte, duke pretenduar se kishte hyrë në zonën e rrethuar. Nga biseda informale, Bino kuptoi se punimet lidheshin me projektin e propozuar nga Jared Kushner dhe se po ngrihej kampi për punëtorët.
I shqetësuar për punimet brenda një ekosistemi të rëndësishëm si Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë, Bino kërkoi më kot një tabelë informacioni për projektin. Zona gëzon mbrojtje ligjore dhe është habitat unik për shumë shpendë ujorë dhe faunë të egër, duke luajtur një rol kyç në ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri.
Edhe përfaqësuesit e AdZM Vlorë nuk kishin asnjë informacion për punimet. Gjatë një inspektimi më 2 maj, punonjësit e AdZM kërkuan lejen e ndërtimit, por morën nga përfaqësuesit e kompanisë një shkresë të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT). Kjo shkresë nuk ishte një leje punimesh, por një korrespondencë ku kompania “Zvërnec South Adriatic Development” informohej se KKT kishte miratuar më 29 prill një leje për punime përgatitore dhe rrethimi. Megjithatë, AZHT njoftonte se vendimi i KKT nuk ishte ende i vulosur nga autoritetet përkatëse, pasi procesi i shqyrtimit dhe plotësimit të kushteve nuk kishte përfunduar.
Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka marrë dy leje zhvillimi nga KKT për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec në janar dhe prill të vitit 2025, leje të cilat nuk janë ende të publikuara. Këto leje lidhen me projektin e prezantuar nga Jared Kushner, ndërsa pronësia e kompanisë që ka përfituar lejet është e paqartë.
Dy organizata mjedisore, AOS dhe PPNEA, kanë denoncuar punimet në zonën e mbrojtur, duke i cilësuar si “një masakër” dhe “grabitje banditeske”. PPNEA deklaroi se “Brigada e paidentifikuar e ekskavatorëve dhe mjeteve të rënda me zinxhirë vijojnë asgjësimin e Peizazhit të Mbrojtur”.
Autoritetet përgjegjëse kanë dhënë përgjigje kontradiktore për BIRN. Kryeministria dhe Ministria e Mbrojtjes nuk u përgjigjën deri në publikimin e artikullit, ndërsa kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ishte e paarritshme për koment.
Leje të pazbardhura dhe ndryshimi i statusit të zonës
Planet për transformimin e ekosistemit ligatinor Pishë Poro-Nartë në kantiere ndërtimi për resorte luksoze kanë nisur që në vitin 2021, kur Këshilli i Ministrave ul statusin e mbrojtjes së zonës nga “rezervë natyrore e menaxhuar” në “peizazh i mbrojtur” dhe zvogëloi sipërfaqen e saj me mbi 5 mijë hektarë.
Në vitin 2024, Jared Kushner njoftoi planet për investime në resorte luksoze në Sazan dhe Zvërnec. Sipas planeve fillestare, në Zvërnec parashikohej ndërtimi i rreth 10 mijë njësive akomodimi turistike.
Kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e themeluar në gusht 2024, mori dy leje zhvillimi për resorte turistike në KKT, të cilat nuk ishin publikuar deri në fillim të marsit. Kjo kompani është në pronësi të kompanisë offshore “Dutch Trust Management BV” nga Holanda, e cila lidhet edhe me projektin e Sazanit dhe dy investitorë nga Katari.
Më 29 prill, kompania mori edhe leje për punime përgatitore dhe rrethimi, por AZHT njoftoi se leja ishte ende në pritje të vulosjes.
Një punonjës i AdZM në kushte anonimiteti shprehu paqartësi për kuptimin juridik të dokumentit të paraqitur nga kompania, duke e dërguar për sqarim në zyrën qëndrore. Ata morën një vendim për pezullimin e punimeve, por përfaqësuesit e kompanisë iu referuan Tiranës.
Më 6 maj, aktivistët mjedisorë dokumentuan vazhdimin e punimeve për ngritjen e kantierit.
Në mëshirën e zinxhirëve
Punimet për shtrimin e rrugëve dhe ndërtimin e kantierit kanë vazhduar edhe më 6 maj në Pishë Poro. Parakalimi i kamionëve me materiale në fund të prillit ngjalli shqetësim edhe te banorët e Zvërnecit. Një banor raportoi se kamionët shoqëroheshin nga “një delegacion makinash luksoze” dhe se disa kamionë shkarkuan materiale në rrugë, duke shtuar se makinat e rënda u larguan shpejt pas atyre luksoze.
Kosta Xhaho, nga PPNEA Vlorë, tha se zona ku po punohej ishte djegur dy vite më parë dhe ishin mbjellë 600 rrënjë pishë për rehabilitim. PPNEA akuzon autoritetet për braktisjen e territorit dhe lejimin e “grabitjes banditeske” të tij.
Organizata AOS, e drejtuar nga Bino, deklaroi se punimet me buldozerë në zonën e Hidrovorit kanë nisur, duke parashikuar mbi 20,000 njësi akomoduese dhe më shumë se 10,000 vizitorë në ditë, në një nga zonat më të ndjeshme ku takohen tre zona të mbrojtura.
Reagime kontradiktore
Autoritetet lokale dhe qendrore kanë dhënë informacione kontradiktore nëse punimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë kanë filluar me apo pa leje.
Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, tha se punimet po kryheshin me leje nga AZHT për rrethimin e kantierit. Kur iu bë me dije se leja duhet të jepej nga KKT, ajo u referua te institucionet qendrore.
Nga ana tjetër, drejtori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Afrim Qëndro, tha se punimet nuk ishin kompetencë e IKMT dhe se përgjegjësia binte mbi AdZM, pasi bëhej fjalë për hapjen e një rruge ekzistuese. Megjithatë, pasi u vu në dijeni për deklaratën e kryebashkiakes, Qëndro tha se do të dërgonte inspektorë për të verifikuar situatën.
