Ekonomia Shqiptare e Fortë ndaj Rreziqeve Inflacioniste

Zv/guvernatorja Ahmetaj: Rreziqet inflacioniste e gjejnë ekonominë shqiptare në pozita të forta

Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj, mori pjesë në takimin e nivelit të lartë “Dialogu vjetor Ekonomik dhe Financiar midis BE-së dhe partnerëve rajonal”, i cili u zhvillua më 5 maj 2026 në Bruksel.

Ky dialog ministror u mbajt në kuadër të takimit të Këshillit për Çështjet Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN) dhe u organizua nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në takim morën pjesë përfaqësues të lartë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerët rajonalë, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Në fjalën e saj, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj paraqiti vlerësimet mbi situatën aktuale ekonomike dhe financiare, si dhe mbi ndikimin e peizazhit të tanishëm gjeopolitik për ekonomitë e vogla dhe të hapura, përfshirë Shqipërinë.

Ajo theksoi se zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht konfliktet e zgjatura, përbëjnë një burim të rëndësishëm rreziku për stabilitetin makroekonomik, kryesisht përmes ndikimit në çmimet e energjisë dhe pritjet inflacioniste.

Znj. Ahmetaj nënvizoi se ekonomia shqiptare paraqitet me tregues të qëndrueshëm makroekonomikë, duke evidentuar inflacionin e kontrolluar dhe një sistem bankar të shëndoshë si faktorë kyç në përballimin e goditjeve të jashtme.

Ajo theksoi rëndësinë e ndjekjes së një politike fleksibël dhe nevojën për koordinim të ngushtë ndërkombëtar për të minimizuar pasiguritë dhe për të rritur efektivitetin e politikave ekonomike.

Në përfundim, znj. Ahmetaj çmoi rëndësinë e këtij dialogu si një platformë e dobishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe partnerëve rajonalë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar.

Scroll to Top